Sejdi Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit ekzekutiv të ndërmarrjes publike Posta e Kosovës. Ai deklaroi se arsyet e dorëheqjes janë angazhimet politike dhe akademike.
“Dua të jem shembull i mirë dhe nuk dua që në asnjë moment dhe rrethanë dikush të mendoj që unë mbaj pozicionin tim publik për të përfituar politikisht. Jam krenar me atë qe kam bërë gjate ushtrimit të detyrave të mia në të gjitha pozitat institucionale që kam qenë deri më tani. Prandaj, meqenëse zgjedhjet janë afër, unë do të angazhohem maksimalisht në fuqizimin e subjektit tim politik”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Hoxhës.
Sipas tij, gjatë ushtrimit të këtij funksioni në Postën e Kosovës për shtatë vite, ai ka arritur disa suksese. Hoxha kujton se si në vitin 2012 kur Posta u nda nga ish-PTK trashëgoi një gjendje të vështirë financiare ku humbja financiare ishte rreth 3 milionë euro në vit dhe ku ofroheshin vetëm dy lloje të shërbimeve.
“Me punën tonë të përbashkët arritëm që për këto vite ndërmarrjes t’i krijojmë dhjetëra shërbime të reja duke filluar nga shërbimi i kryerjes së të gjitha llojeve të pagesave, shpërndarjen e skemave sociale e deri te aplikimi dhe dhënia e kredive në zyrat postare. Të gjitha këto shërbime dhe shumë shërbime tjera mundësuan që për një periudhë të shpejt ndërmarrja të punojë pa humbje financiare, përfshirë edhe 6 mujorin e parë të këtij viti të cilin Posta e mbyll me bilanc pozitiv financiar”, thotë Hoxha.
Ndryshe, para pak muajsh, Sejdi Hoxha, është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Drenas.