image Jep dorëheqje drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prizren, pretendon për kërcënime e shantazhe brenda zyrës së Kryetarit

Politikë

Jep dorëheqje drejtoresha e Mirëqenies Sociale në Prizren, pretendon për kërcënime e shantazhe brenda zyrës së Kryetarit

news image

Vjollca Kabashi, drejtoreshë e Punëve dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prizrenit, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pasi që sipas saj është shantazhuar dhe është kërcënuar.

Përmes një postimi në Facebook, Kabashi ka shkruar se pas emërimit në këtë pozitë ka besuar tek kryetari, Shaqir Totaj për mbështetje, mirëpo sipas saj ka dalë e kundërta.

“Besova që kryetari Totaj pas emërimit do të jetë mbështetës dhe shtytës kryesor i mirëqeverisjes ndërsa ndodhi e kundërta si burokracia dhe nepotizmi. Sigurisht që, kur e kam marrë detyrën , kam qenë e vetëdijshme për sfida e vështirësi të natyrës së punës por për këto 10 muaj nuk gjeta bashkëpunim dhe gatishmëri për punët që na pritnin në këtë drejtori. Përkundër faktit dhe kërkesave të mia të vazhdueshme për bashkëpunim me kryetarin kërkesat e mia janë injoruar, ku kam pritur për 5muaj që vendimet ti nënshkruaj kryetari i komunës”, ka shkruar Kabashi.

Ajo tutje ka shkruar se për 10 muaj asnjëherë nuk është pritur nga kryetari për kërkesat që i ka bërë për takim.

“Duke u bazuar në ligjin e vetëqeverisjes lokale unë llogari për punën time është dashur ti jap vetëm Kryetarit të Komunës dhe qytetarëve. E në rastin konkret më shumë i kam dhënë llogari shefit të kabinetit sesa kryetarit të komunës”, ka shkruar tutje Kabashi.

“Andaj shpreh indinjatën time të thellë që nga e enjtja deri të premten në ora 13:20 minuta lidhur me një pagese që për mua është e kundërligjshme duke më shantazhuar e duke më kërcënuar se unë të shkarkoj dhe jam detyruar të nënshkruaj nën presion dhe kërcenim me urdhra të kryetari Shaqir Totaj, shefit te kabinetit Nehat Elshani dhe drejtorit të Drejtorisë të Shërbimeve Publike Çelë Lamaj”, është shprehur Kabashi.

Tutje ajo njoftoi se pas detyrimit për nënshkrim është drejtuar në stacionin policor.

“Pas detyrimit të nënshkrimit nën kërcënim brenda zyrës së kryetarit, i dërgova email përsëri kryetarit ku lidhur me këtë rast i njoftova dhe u drejtova në stacionin policor ku dhashë deklaratë në njësitin e krimeve ekonomike në Prizren për të gjitha këto parregullsi”, ka përfunduar ajo.

/GazetaSinjali/