Ka dhënë dorëheqje Drejtoresha e Arsimit në Viti, Fatbardha Emini, e cila lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Ajo u shpreh se përkundër përpjekjeve për një arsim cilësor, sipas saj kjo fushë nuk është prioritet i këtij vendi.
“Më lejoni të ju njoftoj për dorëheqjen time si Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë.Gjatë vitit 2022 së bashku me stafin e DKA-së e Drejtoret e shkollave, u angazhuam maksimalisht që të ofrojmë kushte më të mira, e mbështetje për nxënësit dhe mësimdhënësit, për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës, për rend dhe siguri. Për kundër kesaj, ishte nje vit me shumë kërkesa e me përplotë sfida, pothuajse si çdo Komunë në Kosovë. Për fat të keq ende nuk është arsimi prioritet i këtij vendi”, ka shkruar ajo.
Emini tha se për zgjidhjen e problemeve do të duhet një përkushtim më i madh i politikës qendrore dhe lokale karshi nevojave, kërkesave dhe problemeve në arsim.
“Vitin 2023 e planifikuam më mirë, që konsiderojmë do të jetë pak më i frytshem si në ndërtimin dhe rregullimin e infrastuktures shkollore ashtu edhe me mjete pune e furnizime didaktike, aktivitete të tjera për të cilat kemi ndarë buxhetin e nevojshem dhe kemi lënë një planifikim më të mirë por, jo i mjaftushëm”.
“Megjithë këtë, prap këto, nuk janë që i zgjidhin problemet dhe kërkesat që i kanë shkollat dhe nxënësit, do të duhet një përkushtim më i madh i politikës qendrore dhe lokale karshi nevojave, kërkesave dhe problemeve në arsim.Një nga sfidat që po e perciell arsimin në Komunën e Vitisë, e që është i pa arsyeshëm karshi dëmit që po shkakton tek nxënësit ku edhe në vitin 2023, mësimi do të mbahet me 4 ndërrime në Shfmu ” Halil Alidema” në Pozheran. Për kunder shumë kërkesave në drejtim të Ministrisë ende zvarritjet po vazhdojnë”, shkroi ajo,
Tutje, ajo u shpreh se e ndjen obligim moral që të mos vazhdoj në një ambient ku, siç u shpreh ajo, arsimi nuk trajtohet me prioritet.
E ndjej, të pakten obligim moral, që të mos vazhdoj në një ambient të tillë ku arsimi nuk trajtohet me prioritet. Por, sukseset në sektorin e arsimit e në veçanti puna e mësimdhënësve dhe rezultati i nxënësve do të jenë ato që do të vazhdoj t’i përcjell me kënaqesi”, shkroi tutje ajo.