image Javën e ardhshme pritet zyrtarizimi i Grupit 6+

Politikë

Javën e ardhshme pritet zyrtarizimi i Grupit 6+

news image

Përfaqësuesit e partive parlamentare të komuniteteve joserbe kanë deklaruar se të hënën do të takohen për të diskutuar rreth përfshirjes së tyre në një grup parlamentar të vetëm. Në takimet e javës së ardhshme, për formimin e grupit, pritet të caktohen edhe bartësit për pozitat në Kuvend e në grup parlamentar.

Takime javën e ardhshme për formimin e Grupit 6+ kanë deklaruar se do të kenë deputetët e komuniteteve joserbe.

Deputeti i partisë egjiptiane IRDK, Fridon Lala, ka thënë se kësaj here nuk do t’i bashkohen Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Deputeti i IRDK-së në legjislacionin e kaluar ka vepruar në kuadër të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, mirëpo në dakordancë edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, edhe me komunitetet e tjera joserbe kemi vendosur që në Kuvendin e Kosovës të formojmë grupin e komuniteteve të cilët do të funksionojnë së bashku”, ka deklaruar Lala.

Siç e kanë konfirmuar katër përfaqësues të partive të komuniteteve, të hënën do të diskutohet për pozitat e kryetarit të grupit parlamentar, nënkryetarëve të komisioneve dhe kryetarit të njërit nga komisioneve të Kuvendit, raporton koha.

Sidoqoftë, sipas pohimeve të përfaqësuesve të partive të komuniteteve, deputeti i JGP-së, Adem Hoxha, dhe ai i Romani Iniciativas nuk kanë shprehur vullnet për t’u përfshirë.

Me matematikat e deritanishme, nëse Romani Iniciativa dhe JGP-ja refuzojnë të bëhen pjesë e grupit, grupi do t’i ketë tetë deputetë./Gazeta Sinjali/