image Jashari për vizitën e Petkoviqit në Drenicë: Kërkoj falje për familjet e dëshmorëve, shteti nuk më njoftoi

Kosovë

Jashari për vizitën e Petkoviqit në Drenicë: Kërkoj falje për familjet e dëshmorëve, shteti nuk më njoftoi

news image

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka folur në lidhje me vizitën e zyrtarit serb, drejtorit të ashtuquajturës zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në manastirin e Bajës, në Skenderaj, shkruan Gazeta Sinjali.

Jashari përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se nuk ka qenë i njoftuar nga niveli qendror i qeverisjes, gjegjësisht nga Qeveria e Republikës së Kosovës, për këtë vizitë.

“Në lidhje me këtë vizitë është dashur që Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punëve të Jashtme të kenë koordinim të plotë me mua si Kryetar i Komunës së Skenderajt”, shkroi ai.

Tutje, Jashari u shpreh se veprime të tilla, sipas tij, fatkeqësisht japin shembull jo të mirë të qeverisjes dhe si të tilla nuk duhet të përsëriten.

“Qytetarë të nderuar, ky nuk është shteti për të cilin luftuan  e sakrifikuan dëshmorët e heronjtë tonë. Kjo nuk duhet të jetë mënyra e qeverisjes sonë demokratike dhe në shërbim të qytetarëve”, shtoi tutje Jashari.

Po ashtu, Jashari, u kërkon falje familjarëve të dëshmorëve dhe martirëve, që sipas tij e quan këtë vizitë të pa dëshiruar.

“Një kërkim falje nga ana ime për familjet e dëshmorëve e martirëve, viktimat civile të luftës dhe gjithë qytetarët e vendit, për këtë vizitë të padëshiruar e për të cilën shteti ynë nuk më njoftojë paraprakisht”, përfundoi Jashari. /Gazeta Sinjali/