image Jasharaj: Nuk mbajmë grevë njëherë, Gjykata Kushtetuese është kupola e drejtësisë

Kosovë

SBASHK/ Jasharaj: Nuk mbajmë grevë njëherë, Gjykata Kushtetuese është kupola e drejtësisë

news image

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rrahman Jasharaj ka thënë se ai personalisht është i mendimit që punonjësit e arsimit të mos mbajnë grevë.

Në një prononcim për Gazetën Sinjali, Jasharaj ka thënë se mendimi i tij që momentalisht të mos veprohet me gravë nuk është vendimtar, pasi që pro apo kundër grevës do të vendoset në një mbledhje të ardhshme të këshillit drejtues të SBASHK-ut.

“Besoj që edhe të punësuarit në arsim duhet ta kenë parasysh situatën. Personalisht mendoj se njëherë nuk duhet të mbajmë grevë, por mendimi im nuk është vendimtar. Për momentin, ditët në vijim do të mbahet mësimi i rregullt. Në ndërkohë, kolegët e mi janë duke biseduar me anëtarësinë në terren, dhe kur do ta thërrasim mbledhjen e këshillit drejtues me kryetarët e niveleve komunale të universitetit dhe do të diskutojmë se çfarë do të bëjmë. Por mësimi do të vazhdojë momentalisht derisa nuk sjellet ndonjë vendim tjetër”, ka thënë Jasharaj.

Ai ka theksuar se si sindikatë gjenden në situatë të vështirë, pasi që nuk mund ta kundërshtojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Pagat.

“Uroj që në këshill drejtues së analizohet me pjekuri situata, pasi gjendemi në situatë të vështirë ngase ne dhe askush në botë nuk duhet të përpiqet të ndikojë në Gjykatën Kushtetuese sepse ajo është kupola e drejtësisë në shtetin tonë”, është shprehur Jasharaj.

Me vendim të SBASHK-ut, të gjitha nivelet e arsimit në Kosovë, mbajtën grevë në dy orët e para të së premtes, pas pezullimit të Ligjit për Pagat nga Gjykata Kushtetuese. /Gazeta Sinjali/