image Jasharaj: Kurti po mundohet t’i përçajë sindikatat

Arsim

Jasharaj: Kurti po mundohet t’i përçajë sindikatat

news image

Mësimdhënësit në Kosovë do të vazhdojnë grevën në afat të pacaktuar deri në plotësimin e kërkesave, ka thënë kryetar i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBAShK), Rrahman Jasharaj.

Ai ka drejtuar akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, për të cilën thotë se po mundohet t’i përçajë sindikatat.

“Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij kanë një qasje tejet të gabuar ndaj sindikatave. Në vend të dialogut fillimisht kanë zgjedhur deklarata që ‘ky nuk e meriton’ e këso deklarata tjera. Janë përzier në punët e sindikatave që është e ndaluar edhe me konventat ndërkombëtare, pastaj në vend të dialogut filluan të më fyenin, dhe këto i përballova, pastaj u munduan të më shpallnin hajn por çdo gjë u vërtetua se nuk jam i tillë”.

“Pastaj doli ajo deklarata e tmerrshme që më kushtoj më përkeqësimin e shëndetit tim, ngase shokët që ishin këtu më kanë parë. Nuk më ka ndodh kurrë ashtu një gjendje krize kur i tërë trupi më dridhej dhe e pash që e humba kontrollin. U pa që pas një kohë e demantoi vetveten duke thënë se është bazuar në lajme të rrejshme”, u shpreh Jashari për EO.

Ai tha se qeveria në vend të dialogut, po humb kohë e orë duke shëtitur nga një komunë në tjetrën, duke vizituar ndonjë shkollë.

Jasharaj tha se janë në pritje të dialogut dhe se deklaratat e Kurtit nuk do ta zmbrapsin.

“Po të dojë Qeveria, që sot ta thërras kryetarin Hukolli dhe Këshillin Grevist, nëse unë jam një njëri i padëshiruar unë nuk shkoj. Jam i gatshëm që të takohem, por nëse shihem si pengesë nga pala tjetër, ka djem e vajza që udhëheqin për mrekulli sindikatën, veç le të fillojë dialogu. Po nuk ndodhi kështu, atëherë greva do të vazhdojë sepse ky është vullnet i anëtarësisë i jo vetëm i SBAShK-ut, por edhe i sindikatave tjera”, u shpreh Jashari.

Kryetari i Këshillit Grevist të BSPK-së, Rrahman Jasharaj pret nga qeveria që të mos këmbëngulë dhe të marrë parasysh kërkesat e sindikatave.

Ai dje pas takimit në Këshillin Ekonomik Social, është pyetur se a “do të lëshojnë pe” në kërkesën e tyre për 100 euro.

Ai u shpreh optimist pas këtij takimi se në vikend do të arrihet marrëveshja.

“Nuk mund të flas tani se janë njerëzit tjerë që i bëjnë këto planifikime dhe unë besoj që BSPK është e gatshme për dialog. Çfarëdo të bëjë konkretisht unë nuk mund të them se është ekipi i ekspertëve. Atë që neve na thonë njëri prej përfaqësuesve të BSPK-së në takim do të marrë vendimet edhe nga anëtarësia, edhe nga ekipet e ekspertëve dhe do t’ia paraqesim qeverisë. Me urimin që edhe qeveria mos të këmbëngulë me vendimet e veta 50 dhe pikë. Nëse të dy palët jemi vërtetë për dialog, e shtunja dhe e diela mund të sjellin edhe ndryshime. Nëse jo, atëherë fatkeqësisht do të kemi një situatë që nuk e ndryshojmë as ne”, ka thënë Jasharaj.

Për më tepër tha se takimi prej tre orësh ishte i vështirë.

“Ishte takim i vështirë, vet fakti që Këshilli Ekonomik nuk është takuar tash e katër muaj, ka pasur tema që janë grumbulluar dhe kishte tema të tjera. Kërkesa jonë është që ulen të shtunën dhe të dielën”, ka shtuar Jasharaj.

/GazetaSinjali/