image Jasharaj e ‘gjuan topin’ te Qeveria: Nëse nuk reflektojnë institucionet, mund të kemi grevë të përgjithshme në arsim

Arsim

Jasharaj e ‘gjuan topin’ te Qeveria: Nëse nuk reflektojnë institucionet, mund të kemi grevë të përgjithshme në arsim

news image

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka paralajmëruar veprime radikale nëse Qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e sindikatës dhe mospublikimin e versionit final për Ligjin e Pagave.

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, bëri të ditur për Gazetën Sinjali se i kanë dërguar letër presidentes, Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, përmes së cilës kanë kërkuar që të ketë edhe shtesa për të punësuarit në arsim shkaku i rritjeve të vazhdueshme të çmimeve.

“Ne jemi duke vazhduar të gjitha përpjekjet që me dialog dhe takime të bëjmë zgjedhje për kërkesat tona, madje i kemi dërguar letër Presidentes dhe kryetarit të Kuvendit që ata të ndërmjetësojnë te Qeveria që të kemi dialog gjatë kësaj jave, që të kemi zgjidhje edhe për Ligjin e Pagave dhe për kërkesën tonë që derisa të bëhet ligji i pagave në marrëveshje me SBASHK-un dhe sindikatat tjera, atëherë Qeveria të bëjë një shtesë prej 100 euro për të gjithë të punësuarit në arsim që nga çerdhet deri në universitet e po ashtu edhe për të gjithë punëtorët e institucioneve të kulturës, ngase kemi rritje të vazhdueshme të çmimeve”, tha Jasharaj.

Ai po ashtu ka thënë se nëse nuk marrin përgjigje nga Qeveria deri me 2 prill Kongresi do të marrë një vendim për veprimet sindikale.

“Nëse Qeveria nuk reflekton, më 2 prill është Kongresi dhe kam frikë që delegatët që janë përfaqësues të sistemit arsimor dhe kulturor do të marrin vendim për veprime sindikale duke mos përjashtuar dhe grevën e përgjithshme dhe për këtë i tërë faji është te Qeveria Kurti”, tha Jasharaj.

/GazetaSinjali/