image Japonia u ofron qytetarëve mbi 20 mijë euro për të mos jetuar në Tokio

Botë

Japonia u ofron qytetarëve mbi 20 mijë euro për të mos jetuar në Tokio

news image

Qeveria e Japonisë ofron deri në 3 milionë jen (mbi 21 000 euro) për familjet që vendosin të largohen nga zona metropolitane e Tokios dhe të jetojnë jashtë qytetit më të madh në planet.

Qëllimi i ekzekutivit japonez është që të inkurajojë çiftet e reja të lëvizin në vende të papopulluara, që nuk janë aq tërheqëse sa kryeqyteti, dhe të reduktojë plakjen e popullsisë.

Tokio është qyteti më i populluar në botë, me pothuajse 40 milionë banorë në zonën e tij metropolitane, popullsia e vendit ka pësuar ulje për 13 vjet rresht dhe popullsia japoneze është një nga më të moshuarat në botë. Autoritetet besojnë se zhvendosja e familjeve në zona më pak të populluara mund të zvogëlojë popullsinë e Tokios dhe të rrisë atë të zonave të tjera të vendit. Formula është e thjeshtë: rishpërndarja e popullsisë është e barabartë me një normë më të lartë lindjeje.

Për të inkurajuar më tej japonezët, qeveria do të paguajë 1 milion jen (7 100 euro) për fëmijë të mitur për familjet që lëvizin jashtë zonës metropolitane të kryeqytetit, duke filluar nga prilli. Me fjalë të tjera, një familje me një fëmijë të mitur do të marrë 28 000 euro nëse vendos të largohet nga Tokio. Shifra mund të rritet edhe më shumë nëse familja hap biznes në destinacionin e saj të ri.

Qeveria e nisi këtë plan në vitin 2019, vit në të cilin vetëm 71 familje u larguan nga Tokio. Ky numër u katërfishua në vitin 2020 dhe në vitin 2021 arriti në 2381 familje. Autoritetet parashikojnë që deri në vitin 2027, rreth 10 000 njerëz të largohen nga kryeqyteti japonez.

Por, autoritetet kanë vendosur edhe një sërë kushtesh për të marrë ndihmën: familja duhet të jetojë jashtë qytetit për të paktën 5 vjet dhe të paktën një anëtar i familjes duhet të jetë duke punuar ose duke planifikuar të hapë një biznes në vendbanimin e ri. Nëse nuk plotësohet kushti, ndihma duhet të kthehet mbrapsht.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, në vitin 2020, 92% e japonezëve jetonin në qytete, një trend që mund të bëjë që gjysma e qyteteve japoneze të zhduken deri në vitin 2040.

/GazetaSinjali/