image Janjeva në karantinë, pacienti nuk i kishte përfillur këshillat e mjekëve për vetizolim - Sinjali

Koronavirusi/ Janjeva në karantinë, pacienti nuk i kishte përfillur këshillat e mjekëve për vetizolim

news image

Janjeva e Lipjanit që nga mbrëmë ka hyrë në karantinë, pasi që aty është diagnostikuar një person me Covid-19. Një 46 vjeçar që kishte ardhur në Kosovë me 11 mars nga Berlini, mbrëmë është diagnositikuar me këtë virus, e paraprakisht ishte rekomanduar që të vetizolohet nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Janjevë që të vetizolohet, e të njëjtin rekomandim e kishte marrë edhe nga mjekët e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan.

Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan, Agim Krasniqi, ka bërë të ditur se pacienti i dialognostikuar me koronavirus ishte rekomanduar që të qëndronte në vetizolim, por që pacienti nuk e ka respektuar këtë rekomandim.

“Pacienti ka qenë në kontroll fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Janjevë, p astaj ka qenë edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Lipjan. Fillimisht është lajmëruar me probleme për tension të lartë dhe hipertension, nuk ka pasur ankesa që ka të bëjë me simptomat e koronavirusit. Por, ka pasur rekomandimin për shkak të historisë së udhëtimit ka pasur rekomandimin e doktoreshës që e ka kontrolluar që të vetizolohet për periudhë të caktuar ashtu siç kanë qenë këshillat e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik për vetizolim derisa nuk shfaqen simptoma. Mirëpo, pacienti nuk ka respektuar këto rekomandime dhe ka shëtitur. Prapë ka ardhur në QKMF ku personeli që ka bërë kontrollin ka qenë i mbrojtur me masë, dorëza. Ne kemi marrë masa, para se të hyhet në QKMF bëhet një triazhim dhe bëhet një anamnezë e shkurtër, matja e temperaturës, në këtë mënyrë bëhet verifikimi a kemi të bëjmë me pacientë që kanë histori udhëtimi”, tha ai.

Ndonëse ky person që ka marrë trajtim në dy Qendra të Mjekësisë Familjare, në Janjevë e në Lipjan, mjekët që e kanë kontrolluar nuk janë izoluar. E kjo sipas Krasniqit, për shkak se mjekët kanë qenë të pajisur me mjete mbrojtëse.

“Momentalisht nuk janë vetizoluar që e kanë kontrolluar pacientin, për arsye se kanë qenë të mbrojtur me masat mbrojtëse. Kështu që, momentalisht nuk kemi staf të izoluar apo të vetizoluar”, tha ai.

Ai bëri të ditur se kanë filluar gjurmimin e të gjithë personave që kanë pasur kontakt me 46 vjeçarin.

Krasniqi deklaroi se momentalisht si Qendër Kryesore e Mjekësisë Familjare në Lipjan janë të pajisur me mjete mbrojtëse mjaftueshëm.

Zëdhënësi i Komunës së Lipjani Diamant Bytyçi, tha se i kanë ndërmarrë të gjitha masat e rekomanduara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik. Ai tha se kanë bërë dezinfektimin e të gjitha hapësirave publike.

“Qyteza e Janjevës shkon në karantinë dhe prej Institutit janë marrë të gjitha masat prej Komunës që të testohen familjarët dhe rrethi shoqëror i personit që është diagnostikuar me Covid-19. Janë marrë të gjitha masat, po bëhen të gjitha testet dhe të gjitha masat që ata të vetizolohen në shtëpitë e tyre derisa të merren të gjitha mostrat dhe të testohen se kush mund të jetë bartës i këtij virusi”, tha ai.

Ai bëri të ditur se shtëpia ku ka qëndruar i diagnostikuari me këtë virus do të dezinfektohet, si dhe të gjithë rrugët e Janjevës.

Duke qenë se Janjeva është futur në karantinë, hyrjet dhe daljet janë kufizuar. Të gjithë banorët që kanë mbetur jashtë mund të hyjnë, por të njëjtit nuk mund të dalin më nga Janjeva.

Deri më tani në Kosovë janë 21 raste të konfirmuara me virusin Covid-19./ Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: