Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi për herë të parë, është deklaruar lidhur me rastin e përfshirjes së nipit të tij në rrahje.
Zyrtari i lartë i Ministrisë së Tregtisë, Arian Krasniqi, ditë më parë kishte sulmuar fizikisht sekretarin e ministrisë së Tregtisë, Burim Rraci në zyrën e tij për shkak të mëditjeve, ndërsa sot është bërë e ditur se është suspenduar nga puna deri në një vendim përfundimtar, gjë të cilën ky i fundit nuk ka dashur ta komentojë.
I pyetur nga Gazeta Sinjali rreth këtij rasti, Jakup Krasniqi ka sulmuar mediet për apostrofimin e emrit të tij duke tentuar të krijojë distancë, gjë të cilën nuk e kishte bërë me rastin e punësimit familjar të nipit, në Ministrinë e Tregtisë e cila prej kohësh është udhëhequr nga Nisma Socialdemokrate.
“Po të jetonim ne një shoqëri me zhvillim normal e me gazetari profesionale, askund nuk do të duhej të apostrofohej emri im. Pasi ajo vepër është bërë në mes njerëzve të moshës madhore.”, ka thënë kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi në një përgjigje për Gazetën Sinjali.
Arian Krasniqi dyshohet se është punësuar në Ministrinë e Tregtisë falë nepotizmit dhe përkatësisë së njëjtë politike me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi i cili asnjëherë nuk ishte distancuar lidhur me këtë punësim.
Arian Krasniqi madje është avancuar në pozitën e zyrtarit të lartë për Standarde dhe Cilësi të Turizmit.
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është udhëhequr vazhdimisht nga zyrtarët e Nismës Socialdemokrate dhe në të janë punësuar familjarë dhe pjesëtarë të kësaj partie.
Në mesin e tyre është edhe Durim Limaj, djali i kryetarit të Nismës, Fatmir Limaj i cili është punësuar si Këshilltar i Lartë Politik dhe Shef i Kabinetit të Ministrit./Gazeta Sinjali/