image Jakup Krasniqi: Nuk jam ithtar që me çdo kusht të hyjmë në koalicionin qeverisës

Kosovë

Intervistë/ Jakup Krasniqi: Nuk jam ithtar që me çdo kusht të hyjmë në koalicionin qeverisës

news image

Ditëve të fundit janë shtuar zërat se Nisma Socialdemokrate mund të bëhet pjesë e qeverisë së re. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, thekson se të qenët në opozitë është pozicion më komod por pret përmbylljen e rezultatit zgjedhor në mënyrë që koalicioni të vendos se a do të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme.

Partia e Fatmir Limajt, përmbylljen e rezultatit zgjedhor po e pret edhe për të saktësuar nëse do të vazhdojë koalicioni me AKR-në dhe PD-në apo do t’i ndajnë rrugët.

Në një intervistë me shkrim dhënë Gazetës Sinjali, Jakup Krasniqi, thotë se koalicioni parazgjedhor Nisma-AKR-PD nuk është pranuar nga zgjedhësit ndonëse partia e tij e ka bërë punën për të merituar ‘edhe më shumë se 10 deputetë’.

Krasniqi e komenton edhe rënien e PDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit si dhe nëse duhet hequr taksa 100% ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Lexoni intervistën e plotë:

Gazeta Sinjali: Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit solli ndryshime në skenën tonë politike, si e komentoni këtë rezultat dhe a prisnit që partia e Albin Kurtit të dilte e para?

Jakup Krasniqi: Rezultati nuk ka pse të komentohet, pasi ai ka qenë vullneti i sovranit. Sovrani e ka të drejtën të zgjedh, por edhe të gaboj. Më 7 tetor e kam uruar sovranin për zgjedhjet si edhe fituesin e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. Sovrani ishte në kërkim të ndryshimit dhe e bëri. Sesa është vërtetë ndryshim, duhet të shohim. Gjithsesi mënyra sesi është qeverisur vendi, jo vetëm në ketë mandat, e ka merituar ndëshkimin.      

Gazeta Sinjali: Po për rënien e PDK-së a u befasuat?

Jakup Krasniqi: Drejtuesit e PDK-së ka kohë që e kanë kërkuar shkuarjen në opozitë dhe për ketë kanë punuar drejtuesit e saj goxha shumë. Në fund të fundit, demokracia e ka kuptimin e saj kur ndryshohen partitë në qeverisje.        

Gazeta Sinjali: Pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, kur ende nuk dihej sigurt nëse vendi po shkonte në zgjedhje, ju keni pohuar se Nisma Socialdemokrate e vetme mund të hynte në Kuvend me plus 10 deputetë. Tani jemi dëshmitarë të telasheve me të cilat u përballë partia juaj bashkë me AKR-në dhe PD-në për kalimin e pragut zgjedhor, pse ndodhi kjo ngecje sipas jush, a keni arritur ta evidentoni shkakun?

Jakup Krasniqi: Ne e kemi bërë punën për të merituar edhe më shumë se 10 deputetë. Kemi qenë shumë racional si në kundërshti e po ashtu edhe në komunikim. Zgjedhësit nuk kanë menduar si ne dhe ishin ata të vetmit që mund të caktonin numrin e deputetëve në Kuvendin e ri të Kosovës. Ne e respektojmë vendimin e Sovranit. Mbase kishte edhe një fushatë të orkestruar ndaj Nismës. Veç kësaj po duket se koalicioni parazgjedhor i yni nuk është pranuar nga zgjedhësit.

Gazeta Sinjali: Edhe pse së fundmi pati ‘përplasje’ mes zyrtarëve të Nismës Socialdemokrate dhe Lëvizjes Vetëvendosje, shumë kush po e sheh partinë tuaj pjesë të qeverisë së re. Meqë ra fjala, a e shihni Nismën pjesë të qeverisë së re që pritet të formohet nga koalicioni LVV-LDK?

Jakup Krasniqi:  Ne jemi të bindur se duhet të zyrtarizohet procesi zgjedhor, e pastaj koalicioni të vendos se a do të jetë pjesë e qeverisjes së ardhshme. Për mua opozita është më komode dhe do të ketë më pak përgjegjësi. Për ketë duhet të bisedohet.      

Gazeta Sinjali: Cilat do të ishin kushtet që Nisma të hynte në një koalicion të mundshëm LVV-LDK? A prisni të merrni ministri sikurse në qeverinë e kaluar?

Jakup Krasniqi: Nuk jam ithtar që me çdo kusht me hy në koalicionin qeverisës.

Gazeta Sinjali: Çka do të ndodhë me AKR-në dhe PD-në, a do të vazhdojë koalicioni apo do të prishet?

Jakup Krasniqi: Pas përmbylljes se rezultat zgjedhor do të bisedohet se a do të formohet GP apo do të pavarësohen partitë e koalicionit.        

Gazeta Sinjali:
Është bërë një vit që është vendosur taksa ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, vendimi ishte nënshkruar nga ministri i Nismës, Endrit Shala. Po tani si mendoni, a duhet ta heq qeveria e re taksën e cila është kusht i Serbisë për vazhdimin e dialogut si dhe a prisni që ne qeverinë e re do të ndodh marrëveshja finale Kosovë-Serbi?

Jakup Krasniqi: Pas agresioneve të koordinuara politike e diplomatike të Serbisë e cila as 20 vjet pas lufte nuk e ka pranuar fajin e gjenocidit as edhe me një kërkim falje formale, Taksa 100% është minimalja e asaj që është dashur ta merrnin institucionet e shtetit tonë. /Gazeta Sinjali/