Kosova sot shënon 23 vjetorin e njërës nga ditët më të rëndësishme të historisë së saj – ditës kur ne mbyllëm një kapitull plotë vuajtje, shtypje e dhunë, e njëkohësisht të fillimit të një kapitulli të shënjuar me paqe, pavarësi e zhvillim.
Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka përkujtuar burrat, gratë, djemtë, vajzat, fëmijët e të gjitha ata që humbën jetën gjatë luftës, shkruan Gazeta Sinjali.
“Kujtojmë me krenari luftën e pastërt dhe të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës- UÇK.Liria thërret emrin e secilit nga ata! Andaj, përjetë falenderues!“, ka shkruar Jahjaga në profilin e saj në Facebook.
Ajo ka theksuar se ne nuk do të ishim këtu pa ndihmën e shteteve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, të cilët sot 23 vjet më parë i dhanë fund gjenocidit dhe spastrimit etnik në Kosovë.
Prandaj, sipas saj, duhet të jemi gjithmonë mirënjohës, duke vijuar se Kosova është dëshmi e një shoqërie të hapur, demokratike, shoqëri e mundësive të barabarta dhe e gjithëpërfshirjes.
“Sot, Kosova është një storie suksesi në të cilën kontribuojmë të gjithë ne si qytetarë të këtij vendi, institucionet tona dhe bashkësia ndërkombëtare”, përmbylli postimin e saj, ish-presidentja Jahjaga.