Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzave për krime lufte ndaj tani ish-presidentit, Hashim Thaçi dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, raporton Gazeta Sinjali.
Jahjaga ka thënë se askush nuk mund të përdhos luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi.
“Me vëmendje jam duke ndjekur zhvillimet e fundit në lidhje me Dhomat e Specializuara në Hagë. Është e rëndësishme të rikujtojmë se: Askush nuk mund të përdhos luftën e Kosovës për liri e pavarësi”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Sipas saj, vrasje masive. spastrimi etnik, dhunimet e torturat ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës janë kryer nga ushtria serbe.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për liri dhe çlirim nga okupimi i Serbisë ushtria e së cilës, atëkohë, po kryente vrasje masive, spastrim etnik, dhunime, e tortura ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës.
Në këtë kohë të zymtë është e rëndësishme të qëndrojmë të bashkuar, të kemi durim dhe besim në drejtësi”, ka vazhduar ajo.
“Pa mbyllur kapitujt e errët të luftës nuk mund të ndërtojmë paqe të qëndrueshme e stabilitet në rajon”, ka përfunduar ajo./Gazeta Sinjali/