image Ja kur do të hapen kafenetë në Kosovë, rrjedh në publik draft-vendimi

Kosovë

Masat/ Ja kur do të hapen kafenetë në Kosovë, rrjedh në publik draft-vendimi

news image

Nga fillimi i muajit tjetër pritet që të nis hapja e disa veprimtarive në Kosovë. Kthimin në normalitet MSH-ja e ka ndarë në pesë etapa, por ende nuk është vendosur se kur do te hapen kufijtë dhe aeroporti.

KOHA ka siguruar një dokument të Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin janë të paraqitura masat që do të ndërmerren për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe hapjen e disa bizneseve.

Në javën e parë të majit parashihet t’i hapet rrugë sektorit të ndërtimtarisë, e pjesërisht do të hapet edhe tregtia e automjeteve, e tregtia me pakicë.

Kurse që nga 18 maji qytetarët do të mund të lëvizin për më shumë se 2 orë, kur pritet të hapet edhe transporti hekurudhor.

Në po këtë kohë parashihen të hapen edhe muzetë dhe galeritë, por të gjitha këto duke respektuar rregullat e vendosura, përfshirë distancën sociale e masat mbrojtëse, si dorëza e maska.

Hapja e transportit ndërurban, sipas këtij drafti të vendimit, pritet të ndodhë në fillim të qershorit, kur gjithashtu do të mund të zhvillohen edhe provimet në universitete.

Nga gjysma e qershorit do të mund të zhvillohet edhe testi i maturës dhe ai i arritshmërisë.

Derisa gastronomia dhe trafiku urban është paraparë të hapen tek në fillim të korrikut.

Në këtë dokument nuk është vendosur për hapjen e kufijve, aeroportit, shesheve e tubimeve publike, derisa kjo mundësi është lënë që të vendoset bazuar në situatën epidemiologjike.

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar më herët se deri më 30 prill do të bëhen publike masat e reja për parandalimin e koronavirusit derisa ato aktuale vlejnë deri më 4 maj.

E pas paralajmërimeve të disa vendeve në botë, për fillimin e lehtësimit të masave, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se heqja e tyre shumë herët mund të çojë në katastrofë të re shëndetësore e shtim të rasteve dhe vdekjeve nga COVID-19./Gazeta Sinjali/