image Izraeli: Efektiviteti i vaksinës Pfizer ka rënë

Botë

Izraeli: Efektiviteti i vaksinës Pfizer ka rënë

news image

Izraeli ka njoftuar se efektiviteti i vaksinës Pfizer/BioNtech ka rënë, pavarësisht se ajo mbetet shumë efektive në parandalimin e simptomave të rënda të sëmundjes COVID-19.

Njoftimi vjen pas përhapjes gjithnjë e më të lartë të variantit Delta të koronavirusit dhe heqjen e kufizimeve të distancimit fizik në Izrael.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se efektiviteti i vaksinës në parandalimin e infektimit dhe të sëmundjes me simptoma ka rënë në 64 për qind, por ajo mbetet 93 për qind efektive në parandalimin e hospitalizimeve dhe simptomave të rënda të sëmundjes.

Në deklaratën e saj, Ministria e Shëndetësisë nuk ofroi të dhëna për nivelin e mëparshëm të efektivitetit ose ndonjë të dhënë tjetër, raporton Reuters.

Megjithatë, në muajin maj, zyrtarët izraelitë publikuan një raport në të cilin thuhej se dy doza të vaksinës së Pfizer sigurojnë 95 për qind mbrojtje kundër infeksionit, shtrimit në spital dhe simptomave të rënda të sëmundjes.

Një zëdhënës i kompanisë Pfizer nuk ka pranuar që të komentojë të dhënat e shtetit të Izraelit, por ai u bëri jehonë të dhënave nga kërkimet tjera që tregojnë se antitrupat e nxitura nga vaksina janë në gjendje të neutralizojnë të gjitha variantet e koronavirusit, përfshirë atë Delta, megjithëse me një fuqi më të ulët.

Rreth 60 për qind e banorëve kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës së Pfizer, raporton REL.

Në janar, Izraeli regjistronte deri në 10.000 raste në ditë, ndërsa muajin e kaluar në këtë shtet u regjistruan në ditë raste një shifrore.

Përmirësimi i situatës epidemiologjike bëri që Izraeli të heqë pothuajse të gjitha masat kufizuese.

Sipas ekspertëve, të trija vaksinat e autorizuara në Shtetet e Bashkuara – Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson – kanë rezultuar të efektshme në mbrojtjen nga varianti Delta.

Megjithatë, disa studime tregojnë se niveli i mbrojtjes është pak më i ulët sesa kundër varianteve të para të koronavirusit.

Varianti Delta është mbizotërues në Britani të Madhe, mirëpo kryeministri Boris Johnson, tha më 5 korrik se vendi i tij, nga data 19 korrik, do të heqë shumicën e kufizimeve./Gazeta Sinjali/