image Izolimi nga pandemia shton numrin e rasteve të dhunës në familje në Kosovë

Kosovë

Statistikat/ Izolimi nga pandemia shton numrin e rasteve të dhunës në familje në Kosovë

news image

Izolimi në kohën e pandemisë ka ndikuar në shtimin e numrit të rasteve të dhunës në familje.

Sipas Policisë së Kosovës për muajin mars dhe prill të këtij viti krahasuar me të njëjtë periudhë të vitit 2019, ka shtim të raportimit të rasteve të dhunës në familje me 22 për qind. Për shtim të numrit të rasteve të dhunës në familje thotë se ka edhe organizata për mbrojtjen e grave Rrjeti i Grave të Kosovës.

Bajram Krasniqi, nga Zyra për informim në Policinë e Kosovës, ka thënë se brenda këtyre dy muajve krahasuar me vitin 2019 ka një shtim të rasteve të dhunës në familje me 22 për qind.

Sipas tij gjatë muajit mars dhe prill, kur vendi u prek nga koronavirusi, numri i rasteve të dhunës në familje është rritur në 362 raste, derisa në marsin dhe prillin e vitit të kaluar janë raportuar gjithsej 262 raste.

“Periudha e vitit të kaluar me periudhën e vitit 2018 ka një rritje 19 për qind. Po ashtu, edhe në këta katër muaj 2020 në krahasim me këta muaj të vitit 2019 ka një rritje 19 për qind që është një rritje konstante që ka ndodhur edhe më herë edhe pse nuk kemi pasur pandeminë COVID. Referuar shifrave tona gjatë periudhës katër mujore të këtij viti krahasuar me katër muajt e vitit të kaluar kemi një rritje nga 521 raste në vitin 2019 në 648 raste për katër muajt e parë të këtij viti ose shprehur në përqindje kemi 19 për qind rritje. Kurse ne e dimë rastet e para me COVID në fillim të muajit mars dhe nëse e marrim muajin mars të plotë dhe muajin prill po ashtu plotë krahasuar me marsin dhe prillin e vitit të kaluar në vitin e kaluar kemi pasur 262 raste të dhunës në familje kurse këtë vit kemi 362 raste të dhunës në familje ose shprehur në përqindje 22 për qind më tepër të rasteve të dhunës në familje”, theksoi ai.

Regjioni i Prishtinës prin për nga numri i rasteve të raportuara si dhunë në familje gjatë pandemisë, pasuar nga Gjakova dhe Prizreni.

“Në Policinë e Kosovës të gjitha rastet kriminale që ne u themi më së tepërmi ka regjioni i Prishtinës për arsye se edhe numri i banorëve është më i madh. Edhe te rastet e dhunës në familje, nëse u referohemi muajve të fundit, më së shumti kemi në rajonin e Prishtinës 63 raste, pasuar nga rajoni i Gjakovës me 26 raste, rajoni i tretë i Prizrenit me 25 raste. Rajonet tjera janë më pak për shembull rajoni i Mitrovicës Veriore ka vetëm dy raste dhe ai Ferizajt 7 raste për prill”, tha Krasniqi.

Edhe Rrjeti i Grave të Kosovës thonë se gjatë kohës së pandemisë masat që u vendosën nga Qeveria për izolim në shtëpi kanë bërë që të rriten rastet e dhunës në familje.

Koordinatorja kundër dhunën në familje në Rrjetin e Grave të Kosovës, Erza Kurti thotë se ndonëse mundësia e raportimit është zvogëluar, dhuna në familje është rritur.

“Prej të dhënave të policisë që kanë deklaruar edhe mbrojtësit e viktimave, thonë se nuk është një dallim i madh të përqindjeve në situatë të zakonshme dhe brenda pandemisë, por ne e vërejmë se njerëzit na shkruajnë ose telefonojnë te linja e psikologëve që të tregojnë se kanë përjetuar dhunë në familje. Ne mund të themi se nëse nuk shihet te numrat dhuna në familje, prapë se prapë mendojmë se ka rritje të dhunës për shkak të izolimit pasi strehimoret na kanë treguar se jo të gjitha rastet kanë shkuar në strehimore për shkak se abuzuesit janë liruar me procedurë të rregullt”, shpreh ajo.

Sipas saj, gjatë kësaj periudhe institucionet përkatëse është dashur të krijohen lehtësime për raportim të dhunës në familje.

“Është një situatë mjaftë shqetësuese pasi ne e dimë që të gjithë mund të përjetojnë dhunë dhe jo vetëm gratë, por në bazë të hulumtimeve tona e dimë që më të prekur janë gratë dhe fëmijët. Kështu që situata në përgjithësi është mjaft e vështirë për gratë, pasi që shumica nuk janë në punë për shkak se i kanë larguar nga puna për shkak të pandemisë dhe burrat janë në shtëpi ose punojnë nga shtëpia ose nuk janë duke punuar. Edhe shkollat e mbyllura janë një vështirësi tjetër për gratë, pasi ato e kanë përkujdesjen më të madh ndaj shtëpisë dhe familjes… Është vështirësi e madhe të jetosh me dhunuesin dhe mos të kesh rrugëdalje. Pandemia ka sjellë frikën edhe ndaj raportimit për dhunë në familje”, tha Kurti./ Gazeta Sinjali/