Shërbimi i obligueshëm ushtarak në Kosovë mund të fillojë pas dy vjetësh. Kështu ka thënë, Sefer Isufi, shef për Komunikim Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, duke treguar se ky proces aktualisht është në stadin ideor.
Sipas tij, shërbimi i obligueshëm ushtarak është tani i specifikuar në kuadër të programit të qeverisë.
“Në fazën që jemi, shërbimi i obligueshëm ushtarak është në stadin ideor, jemi duke hartuar konceptin, por këtë koncept do ta hartojmë me një analizë dhe vlerësim shumë të thellë kërkohet një ekspertizë shumë dimensionale. Konsiderojmë për një periudhë jo shumë të gjatë do të arrijmë ta hartojmë konceptin e parë, ndërsa për ta funksionalizuar si proces, mendoj se në fazën që jemi mund të supozojmë se mund të arrijmë që këtë proces ta fillojmë pas dy vjetëve”, tha ai në një emision televiziv.
Isufi tha se këtë proces janë duke e analizuar dhe vlerësuar me ekspertët vendor dhe sipas tij, ekspertiza e plotë do të bëhet me partnerët e Kosovës, konkretisht ShBA-në.
“Jemi duke analizuar dhe vlerësuar praktikat më të mira të shteteve perëndimore, dhe pas një analize të tillë do ta përzgjedhim modelin apo praktikën që është më e përshtatshme për kushtet tona”, tha tutje Isufi. /GazetaSinjali/