Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, i ka komentar deklaratat e u.d. të presidentit, Vjosa Osmanit, e cila tha se LDK-së i ka mbet vetëm logoja, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeparlamentarja Osmani disa ditë më parë tha se është ajo që përfaqëson votuesit e LDK-së.
Por sipas Beqirit, një gjë të tillë nuk e ka thënë kurrë as themeluesi i partisë, Ibrahim Rugova.
“Sa i përket kësaj fjalie, që thënë sinqerisht sikur po bëhet pak famoze, është gabim shumë i madh. Deklarata e tillë nuk i bën nder as Vjosa Osmanit dhe askujt prej nesh, që sot të themi unë përfaqësoj votuesit e LDK-së e atyre iu ka mbet vetëm logoja”, tha Beqiri.
“Mos të harrojmë se për logon e LDK-së e mbi të gjitha ai që e ka bërë këtë logo, figurativisht po e them, ai kurrë nuk është thirr që votuesit i përfaqëson e LDK-së. As Ibrahim Rugova se ka thënë se i përfaqëson votuesit e LDK-së”, tha ai në RTV Dukagjini.
Beqiri po ashtu shtoi se të gjithë deputetët që janë në Kuvend janë me vota të LDK-së e jo me vota të Vjosës.
“Unë mendoj se LDK i ka 28 deputetë dhe që të gjithë jemi në Kuvend me vota të LDK-së, dhe jo me vota të Vjosës. Ne e dimë se ajo ka qenë mbartëse e listës por që të gjithë e dimë se në zgjedhje votohet logoja”, shtoi ai.