Pushtimi i Ukrainës nga presidenti rus, Vladimir Putin, i ka “tejkaluar të gjitha pritjet tona” dhe do të ketë “implikime të dukshme” për rendin e sigurisë në Evropë, tha ish-zëvendësi i sekretarit të NATO-s, Alexander Vershbow.
Vershbow, i cili ishte ambasador i ShBA-së në Rusi nga viti 2001 deri më 2005, tha se Putin është “i fiksuar me idenë e minimit të rendit të pas Luftës së Ftohtë” dhe kthimit të Evropës në një epokë, ku “kombet më të mëdha dominojnë kombet më të vogla”.
Kjo, sipas tij, do të thotë se aleanca ushtarake perëndimore, me bazë në Bruksel, do të duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër kur të merret me Kremlinin në të ardhmen.
“Fuqia e vërtetë vjen nga fuqia ushtarake. Putin sigurisht që ndihet kështu. Unë mendoj se NATO-ja do të duhet të zhvillojë një kulturë gatishmërie dhe të fillojë të flasë gjuhën e Putinit”, tha ish-diplomati.
Vershbow shtoi se me pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, i cili filloi më 24 shkurt, Putini grisi rregulloren diplomatike dhe përpiqet të rishkruajë historinë.
Ai tha se zgjerimi i NATO-s me disa vende të ish-Traktatit të Varshavës, i cili filloi në vitin 1999 me pranimin e Polonisë, Hungarisë dhe Republikës Çeke, “tani duket më i zgjuar se kurrë”.
“Është dashur të bëjmë më shumë kur kemi pasur mundësinë të ankorojmë Ukrainën dhe Gjeorgjinë” në aleancë, tha Vershbow për REL.
Përpara pushtimit të Ukrainës, Rusia ka kërkuar garanci nga NATO-ja se nuk do të pranojë Ukrainën apo Gjeorgjinë në radhët e saj.
Uashingtoni dhe NATO-ja i kanë hedhur poshtë kërkesat ruse, duke thënë se asnjë vend nuk ka të drejtë t’ia mohojë një vendi tjetër aspiratat e tij për anëtarësim në aleancë.