image Ish-zëvendësministri për autostradën e Anamoravës: Lumir, Anamorava të bani ministër, mos e nguc

Kosovë

Reagim/ Ish-zëvendësministri për autostradën e Anamoravës: Lumir, Anamorava të bani ministër, mos e nguc

news image

Ish-zëvendësministri i Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës në Qeverinë Haradinaj, Rexhep Kadriu, i ka bërë thirrje ministrit Lumir Abdixhiku që të mos ndërprejë procedurat për ndërtimin e autostradës së Anamoravës.

Kadriu përmes një shkrimi në Facebook tha se Anamorava e ka bërë Abdixhikun ministër, i cili tani sipas tij këtë mbështetje po ua kthen me anulimin e vendimit për ndërtimin e autostradës së Anamoravës.

“Lumir, Anamorava të bani ministër, mos e nguc. Mbi 30 mijë vota nga Gjilani për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe si shpërblim për këtë mbështetje po duan me e ndalë autostradën “Agim Ramadani”,  segmenti Bresalc – Dheu i Bardhë”, ka shkruar Kadriu.

Në postimin e tij ai shkruan se Abdixhiku i cili vjen nga Lugina e Preshevës do t’i ndalë procedurat e autostradës që lidh Anamoravën me Luginën e Preshevës.

“Sot, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, njeriu që vjen nga Lugina e Preshevës, deklaron se do t’i ndalë procedurat e tenderimit të këtij projekti, i cili u nis pas 20 vjetve dhe që lidhë shqiptarët mes vete, gjegjësisht Kosovën me Luginën”, ka thënë ai.

Ndër tjerash ish-zëvendësministri ka kërkuar mbështetje nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, për projektet e filluara dhe të planifikuara nga Qeveria Haradinaj.

“Mbetem shumë i vendosur që bashkë me qytetarët e Gjilanit t’i mbrojmë të gjitha projektet e filluara dhe ato të planifikuara nga qeveria Haradinaj, e cila për herë të parë ktheu vëmendjen e pushtetit qëndror kah Anamorava. Pres mbështetjen edhe te kreut të komunës, Lutfi Haziri, në mënyrë që këto projekte të aprovohen në buxhetin e 2020-ës”, ka shkruar Kadriu./Gazeta Sinjali/

https://www.facebook.com/rexhep.kadriu.1/posts/2423147901123038