image Mbahet mbledhja e parë e Komitetit për pandeminë, kërkohet kontrollim i rreptë i respektimit të masave

Shëndetësi

Mbahet mbledhja e parë e Komitetit për pandeminë, kërkohet kontrollim i rreptë i respektimit të masave

news image

Komiteti për koordinimin dhe vlerësimin e situatës me pandeminë COVID-19 ka mbajtur mbledhjen e parë.

Kryeministri Albin Kurti në këtë mbledhje ka folur për rrezikun nga varianti Delta dhe për shkak të karakteristikave të tij specifike, ai i paraqiti disa kërkesa të posaçme për Komitetin.

Ai kërkoi nga anëtarët e Komitetit të jenë sa më të rreptë në kontrollimin e respektimit të masave, si dhe në ndëshkimin e shkelësve të tyre.

Kryeministri udhëzoi anëtarët e Komitetit që në zbatimin e masave të reja të përqendrohen kryesisht në vendet dhe ambientet ku këto ngjarje super-përhapëse kanë më shumë gjasë të ndodhin, siç janë: restorantet, baret dhe lokalet, palestrat dhe fitneset, transporti publik, sidomos transporti ndërurban, me udhëtarë pa maskë, qendrat tregtare me klientë pa maskë, mbajtja e dasmave, ahengjeve dhe ceremonive mortore në kundërshtim me masat e Qeverisë.

“Në mënyrë që zbatimi i masave të jetë sa më i përpiktë, kërkoj nga ju të shfrytëzoni të gjitha resurset të inspektimit që keni në dispozicion, duke përfshirë inspektorët e AUV-it, inspektorët e MINT-it (sidomos inspektorët e tregut), inspektorët komunalë dhe Policinë e Kosovës”, u tha kryeministri anëtarëve të Komitetit.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se rezultati i analizave të datës 16 gusht nga Instituti “Robert Coch” në Gjermani dërguar IKSHP-së për mostrat e marra tregoi se në Kosovë dominon varianti Delta dhe shpërndarja e shpejtë e tij bëri që brenda një periudhe shumë të shkurtër numri i të infektuarve të 20 fishohet.

Ministri Vitia informoi për gjendjen aktuale në spitale dhe ecurinë e procesit të vaksinimit. “Ne jemi koshient se vetëm vaksina e ndalë përsëritjen e një vale të re, edhe pas kësaj vale. Por deri në vaksinimin e qytetarëve në masën e formimit të një imuniteti kolektiv, ne përkundër sfidave ekonomike që mund ti kemi, shëndeti publik i qytetarëve duhet dhe do të jetë prioriteti kryesor”, tha ministri Vitia.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi se Policia e Kosovës është mobilizuar në mbikëqyrjen e zbatimit të masave dhe nga sot edhe Inspektorati Policor të Kosovës, i cili do të mbikëqyrë përmbushjen e detyrimeve të Policisë, nëpërmjet monitorimit të pjesëtarëve të Policisë në raport me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.

Komiteti përbëhet nga 27 anëtarë që janë përfaqësues të institucioneve dhe organeve të ndryshme shtetërore e qeveritare dhe kryesohet nga Ministri i Shëndetësisë, z. Arben Vitia.

/GazetaSinjali/