Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë periudhës së luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në vend, karshi situatës së krijuar me dialogun dhe çështjen e targave në raport me Serbinë.
Tashmë profesor për Strategji dhe Siguri, Shea jep qëndrimin e tij se nuk sheh një konflikt tjetër të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë.
”Forca e KFOR-it të NATO-s mbetet në Kosovë për të garantuar mjedisin e sigurisë. Për më tepër NATO ka forca rezervë që mund të dërgohen në Kosovë me një njoftim të shkurtër për të mbështetur KFOR-in dhe për të ndihmuar në ruajtjen e paqes nëse është e nevojshme. Kohë pas kohe mund të shihnim disa tensione apo demonstrata, siç e pamë kohët e fundit për çështjen e targave të veturave, por KFOR-i në bashkëpunim me policinë e Kosovës është mësuar mirë të merret me këto situata dhe të rivendosë qetësinë dhe rendin”.
E deklaratat e kryeministrit Albin Kurti, ku shpesh përmendte luftën, vlerëson se vinin si pasojë e zhgënjimit nga mungesa e progresit në negociata mes Kosovës dhe Serbisë.
”Unë shoh që kryeministri Kurti po shpreh zhgënjimin e tij për mungesën zhgënjyese të progresit në Dialogun Prishtinë-Beograd, por nuk shoh një konflikt tjetër të armatosur”.
Ndërsa lidhur me situatën e krijuar nga agresioni rus, Shea thotë se ukrainasit suksesshëm po zmbrapsin rusët, ani se Putin po përdorë masa të pamatura përfshirë këtu dhe kërcënimet bërthamore.
Shea qasjen e Serbisë, duke u rreshtuar krah Rusisë, e quan tejet zhgënjyese ani se për të, e parashikueshme. Kjo meqë siç specifikon ish-zëdhënësi i NATO-s, Serbia dëshiron të jetë në dy pozicione.
”Nëse Serbia dëshiron të jetë pjesë e Evropës dhe t’i bashkohet BE-së, ajo duhet të mbështesë dhe respektojë vlerat evropiane dhe të demonstrojë solidaritet me partnerët e saj evropianë. Një shtet anëtar i BE-së nuk mund të adoptojë një qasje ndaj BE-së, ku interesi i ngushtë personal gjithmonë merr përparësi dhe vendi gëzon të gjitha përfitimet ekonomike, por refuzon të marrë përgjegjësinë për objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së”.
Shea flet edhe për marrëveshjen e fundit mes Serbisë dhe Rusisë ku e thekson se Serbia duhet të përafrohet me objektivat e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së (për shembull sanksionet kundër Rusisë dhe Iranit) nëse është serioze dëshira për t’u bërë një shtet anëtar i BE-së”.
”Pikëpamja ime dhe që e kam deklaruar shumë herë, është se Serbia nuk duhet të bëhet anëtare e BE-së derisa të ketë njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës dhe të normalizojë marrëdhëniet e saj me të (përfshirë ndalimin e fushatës për ta mbajtur Kosovën jashtë organizatave ndërkombëtare)”.
E për rrugëtimin e Kosovës në aspektin e sigurisë, që nga paslufta, profesori i njohur për Strategji dhe Siguri, thotë se me asnjërin prej udhëheqësve të institucioneve të Mbrojtjes në Kosovë, nuk ka komunikuar.
Megjithatë për tensionet e paralajmëruara ish-zëdhënësi i NATO-s që ndihmoi Kosovën gjatë kohës së luftës, shprehet i gatshëm të ndihmojë përsëri në çdo mënyrë.
”Nuk kam qenë në Kosovë për disa vite për fat të keq për të parë lidershipin dhe për të shkëmbyer perspektiva. Unë jam i gatshëm të ndihmoj në çdo mënyrë që mundem, por jo të ndërhyj”.
Ndërkaq lidhur me rekomandimin e ndërkombëtarëve që Qeveria Kurti të shtyjë për 10 muaj zbatimin e reciprocitetit për targat, Jamie Shea thotë se kjo duhet të ndodhë vetëm nëse ka një zgjidhje konstruktive, derisa shprehet se edhe administrata publike në veri, duhet të përshtatet me normat e Kosovës në tërësi.
”Unë i kuptoj meritat e një shtyrjeje me kusht që koha e fituar të përdoret për negociata serioze dhe me synimin për të rënë dakord për zgjidhje konstruktive dhe jo thjesht për të shtyrë gjërat dhe për të zgjatur status quo-në”.
”Është e qartë se administrata publike, veçanërisht në veri, duhet të reformohet, modernizohet dhe të përshtatet me normat dhe standardet e Kosovës në tërësi. Kjo është një veçori e çdo shteti modern që i nënshtrohet sundimit të ligjit dhe administratës së duhur publike”.
Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, po ashtu nuk pajtohet me idenë se mes Kosovës dhe Serbisë, këtë vit mund të ketë një marrëveshje përfundimtare, megjithatë shfaqet pak optimist.
Kjo, ani se siç potencon, Brukseli dhe Washingtoni po njohin rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor, pas një periudhe të neglizhencës, raporton klani.