Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do t’i kërkojnë KFOR-it dislokimin e një numri të ushtarëve dhe policëve serbë në Kosovë, bazuar në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Por, ish-zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, deklaroi se kthimin e ushtarëve serbë s’do ta lejojë kurrë NATO-ja.
“Sipas rezolutës 1244, personeli serb mund të lejohet që t’i kryejë vetëm katër detyra (funksione). Asnjë nga këto pika nuk është në përputhje me situatën dhe qëllimet e Aleksandar Vuçiq. Ai e di mirë që NATO dhe KFOR-i nuk do ta lejojë kurrë këtë”, tha Grasso.
Ai publikoi edhe pjesë nga rezoluta dhe funksionet që ushtria serbe do të mund t’i kryente.
“Pas tërheqjes në numër i personelit jugosllav dhe serb do të lejohet të kthehet për t’i kryer funksionet e mëposhtme: Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe praninë ndërkombëtare të sigurisë; Shënimi/pastrimi i fushave të minuara; Mbajtja e një pranie në vendet e trashëgimisë; Mbajtja e pranisë në pikat kyçe kufitare”, shkruan në dokument.
Që nga e hëna e kaluar në veriun e vendit ka pasur shpërthime nga granatat, “shok bombat”, por edhe përdorim të armëve të zjarrit nga ana e serbëve në Mitrovicën e Veriut dhe Zubin Potok.
Aty u penguan zyrtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore që të dilnin dhe të nisnin përgatitjet për zgjedhjet që pritej të mbaheshin më 18 dhjetor por që u shtynë për shkak të tensioneve atje.
Të enjten, para mesnatës në Zveçan u plagos edhe një pjesëtar i policisë nga grupet kriminale në veri.
Derisa të shtunën u vendosen edhe barrikadat në pjesët që çojnë tek pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.
As Serbian President Vucic want to get back Serbian troops in Kosovo let's remind this iconcic moment in 1999. German commander Helmut Harff telling Serbian officer that have only 30 minutes to leave Kosovo. After exchanging few words: Thats the end of discussion, 28 minutes left pic.twitter.com/GPsfPHhbao
— Besnik Velija (@BesnikVe) December 10, 2022