Vlora Hyseni, që ka qenë e angazhuar në udhëheqjen AKI-së, tash është pjesë e kabinetit të kryeministrit Edi Rama.
Ish-zëvendësdrejtoresha e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Vlora Hyseni, është emëruar këshilltare e Ramës.
Ajo, para disa muajve, u shkarkua nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.
Vlora Hyseni e ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, gjatë periudhës sa kishte mbetur pa drejtor.
Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës që nga dhjetori i vitit të kaluar, kur ishte shkarkuar drejtori Kreshnik Gashi, deri në prill të këtij viti, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti.
Hyseni nga informacionet e pakta që dihen për të, përshkruhet si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo flet disa gjuhë të huaja.
Në shkurt të vitit 2019, Vlora Hyseni ishte emëruar zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Paraprakisht, ajo ka qenë drejtoreshë për marrëdhënie me jashtë në AKI. /GazetaSinjali/