Pakkush në Kosovë ka njohuri për biznesmenët Michael Glazer dhe Dragan Gregurec. Glazer është jurist me profesion, që ka zhvilluar biznese të konsulencës në Lublanë të Sllovenisë. Prej vitit 2013, ai udhëheq firmën private për këshillim të bizneseve, SEE Regional Advisors Ltd. Ndërkaq, Gregurec është një biznesmen kroat, me profesion inxhinier. Ai udhëheq një kompani private në Kroaci që merret me zhvillimin e impianteve industriale.
Megjithatë, për dy sipërmarrësit që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Kroaci, kanë njohuri së paku dy njerëz të pushtetit të kaluar: Haki Abazi dhe Emilija Redzepi.
Njohja me dy ish-anëtarët e kabinetit të Qeverisë Kurti, ka qenë çelësi i një marrëveshje që Glazer dhe Gregurec kanë lidhur me Qeverinë e Kosovës në muajin mars të këtij viti.
Insajderi ka siguruar një dokument të nënshkruar nga Emilija Redzepi, ish-ministrja e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, për angazhimin e Glazer dhe Gregurec më 17 mars të këtij viti.
Dokumenti tregon se Glazer dhe Gregurec janë autorizuar për të asistuar Qeverinë e Kosovës në sigurimin e mbështetjes materiale nga organizata dhe institucione ndërkombëtare përgjatë periudhës së pandemisë COVID-19.
“Ata janë të autorizuar të kontaktojnë me entitete të sektorit privat dhe publik, si dhe me organe ndërkombëtare për të ofruar mbështetje për Republikën e Kosovës në lidhje me koronavirusin”, thuhet në vendimin e nënshkruar nga ish-ministrja Emilija Redzepi.
Prapa nënshkrimit të ish-ministres së MAPL-së dyshohet se qëndron zëvendëskryeministri Haki Abazi. Këtë e ka lënë të nënkuptohet ish-ministrja Redzepi në një bisedë telefonike me Gazetën Insajderi të enjten.
Ajo ka thënë se dy sipërmarrësit kanë qenë në “kontakt direkt” me Abazin deri në momentin e angazhimit nga Qeveria e Kosovës.
“Ata janë nga Kroacia dhe kanë pasur dëshirë t’i ndihmojnë Kosovës. Ata janë në kontakt me Ambasadën e Kroacisë dhe direkt me zëvendëskryeministrin Haki Abazin”, ka thënë Redzepi për Insajderin.
Redzepi nuk i ka zbuluar lidhjet e mundshme të Haki Abazit me Michael Glazerin dhe Dragan Gregurecin. Ka thënë se ajo personalisht e njeh njërin prej dy biznesmenëve.
“Unë e njoh personalisht Dragan Gregurecin, sepse ai ka shumë lidhje me USAID-in në Kroaci dhe ka insistuar të ndihmojë?”, ka thënë politikania që përfaqëson komunitetin boshnjak në Kosovë. “Haki Abazi ndoshta nëpërmjet e-maileve [është përfshirë], Edhe ai i ka ditur ata persona më përpara ose pastaj, nuk e di unë”.
Ish-shefja e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal ka thënë se marrëveshja të cilën dyshohet ta ketë shtyrë Haki Abazi është nënshkruar në mënyrë urgjente.
“Situata atëherë ka qenë urgjente dhe të gjitha ato ndihma për të cilat kemi pasur nevojë, për mua është mirë”, ka thënë Redzepi.
Por, Haki Abazi mohon t’i ketë takuar ndonjëherë dy biznesmenët e angazhuar nga Qeveria Kurti, edhe pse ish-ministrja e MAPL-së e implikon atë në procesin e angazhimit të Glazerit dhe Gregurecit.
“Unë jam njoftuar nga Znj.Rexhepi. Nuk i kam takuar dhe nuk i njof asnjërin nga këta persona dhe asnjë lidhje kontraktuale nuk kemi si qeveri”, ka thënë Abazi për Gazetën Insajderi.
Sipas ish-numrit tre të Qeverisë Kurti, dy biznesmenët i kanë ofruar me vet dëshirë ndihmë Qeverisë së Kosovës.
“Ata i kanë ofruar përkrahje znj.Rexhepi në kohën e pandemisë dhe duke qenë që Kroacia ka udhëhequr presidencën e BE-së ata kanë ofruar përkrahje edhe për Kosovën”, ka deklaruar ai.
Për procedurat e marrëveshjes, Insajderi ka kërkuar sqarime nga sekretarja e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Rozafa Ukimeraj, por nuk ka marrë përgjigje në pyetjet që ka dërguar në adresë të saj të enjten.
Mbi Michael Glazer rëndojnë dyshime për lidhje biznesore me politikanë sllovenë
Të dhënat publike dhe e kaluara e Michael Glazer, drejtorit të SEE Regional Advisors Ltd., nxisin dyshime mbi arsyet e angazhimit të tij në shërbim të Qeverisë së Kosovës.
Ai është i njohur në Slloveni për lidhje me politikanë dhe ish-zyrtarë të lartë të shtetit, të afërt me ish-kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar.
Në vitin 2014, gazeta Siol në Slloveni, raportoi se si Michael Glazer, në dhjetor të vitit 2013 kishte blerë kompaninë Oeconomus nga Aleksander Kesheleviç, ish-këshilltari politik i Miro Cerarit.
Pas shitjes, kjo kompani kishte ndryshuar disa herë emrin dhe adresën e saj, raporton kjo gazetë online.
Mirëpo, është interesante që kompania lëvizte ekskluzivisht në adresat që lidheshin me kompaninë në pronësi të Marian Groff, një biznesmeni i cili në të kaluarën ishte dënuar me pesë vjet e gjysmë burg për shkak të afarizmit të tij.
Në një reagim ndaj këtij artikulli, Glazer kishte mohuar lidhjet e tij me politikanët sllovenë dhe me biznesmenin e dënuar me burg.
Një tjetër lidhje midis Glazerit dhe Qeverisë së Miro Crerarit në Slloveni është edhe ajo me ish-ministrin e Ekonomisë, Jozhef Petroviç.
Glazer, sipas raportimit të Siol.net, kishte themeluar kompaninë Auctor Zagreb – e cila merrej me shitjen e letrave me vlerë – dhe në vitin 2013 bleu 11 për qind të një kompanie tjetër, të cilën Petroviç e mori mbi vete menjëherë pas blerjes.
Qeveria Kurti i besoi inxhinierit kroat për fondet e COVID-19
“Alpha-Engineering”, firma në pronësi të Dragan Gregurecit, biznesmenit tjetër të angazhuar nga Qeveria Kurti, merret me aktivitete të ngjashme me interesat që Haki Abazi ka mbrojtur, tashmë, prej vitesh.
Kjo kompani merret me distribuimin e gazit dhe naftës, si dhe me aktivitete në sektorin e energjisë.
Më të njëjtat aktivitete është marrë për një kohë të gjatë edhe Haki Abazi.
Ish-zv/kryeministri ka bashkë-themeluar dhe udhëhequr KOSID-in, një konsorcium i organizatave të shoqërisë civile në Kosovë i cili ka adresuar për vite me radhë çështjet e energjisë.
Ky projekt i bashkë-udhëhequr nga Abazi ka avokuar nevojën për burime alternative të energjisë në Kosovë.
Ndryshe, Haki Abazi njihet si kundërshtuesi kryesor i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” në Kosovë.
Abazi, i cili për rreth dhjetë vjet ka udhëhequr me fondet milionëshe në Kosovë të fondacionit “Rockfeller Brothers Fund”, e kishte quajtur “kancer të qytetarëve” projektin për termocentralin.
KOSID-i i udhëhequr nga Abazi, kishte zhvilluar fushata të financuara kundër këtij termocentrali.
Në muajin gusht të vitit të kaluar, ish-drejtori i Rockefeller Brothers Fund u bashkua me Lëvizjen Vetëvendosje – organizatë politike që po ashtu e ka kundërshtuar ashpër projektin “Kosova e Re” – për t’u emëruar zëvendëskryeministër i Kosovës në qeverinë Kurti gjashtë muaj më vonë.
Disa javë pas ngritjes në pushtet të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Haki Abazit, projekti i Termocentralit “Kosova e Re” u anulua.
Kompania që kishte fituar kontratën e projektit, Contour Global, më 17 mars ndërpreu planet për ndërtimin e termocentralit 500 megavatësh. /Gazeta Sinjali/