image Ish-ministri i LDK-së i bën thirrje partisë të garojë e vetme në zgjedhje

Kosovë

Ish-ministri i LDK-së i bën thirrje partisë të garojë e vetme në zgjedhje

news image

Haki Demolli, ish-ministër i Mbrojtjes nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka bërë thirrje partisë që të garojë e vetme në zgjedhje, derisa ka njoftuar se në zgjedhjet e 14 shkurtit nuk do të garojë për deputet, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një postimi në Facebook, Demolli thotë se LDK-ja i ka votuesit liberalë dhe kësisoj, nuk kontrollohet nga të tjerët.

“Kur në listë të LDK-së do të ketë kandidatë të partive të tjera, ata do të “shpërblehen pa meritë”  nga një numër i madh i votuesve të LDK-së. Fatkeqësisht, ne si LDK këtë përvojë jo të mirë e kemi përjetuar në zgjedhjet e vitit 2017, kur nga votuesit e LDK-së, me të madhe janë votuar kandidatët e Alternativës dhe të AKR-së që fituan me nga 10-15 mijë vota, e që përndryshe sikurse mos të ishin në listën e LDK-së, vështirë se do të merrnin numër kaq të madh të votave”, shkruan Demolli në Facebook.

E ka vlerësuar si të pashëndetshme për LDK-në po që se në zgjedhje bën koalicion parazgjedhor me parti tjera.

“Nëse futen  10-15 kandidatë të partive të tjera në listën e LDK-së, atëherë  jashtë kësaj liste do të mbesin 10-15 anëtarë të devotshëm të LDK-së, e një gjë e tillë nuk është e ‘shëndetshme’ për LDK-në, sidomos në kohën e zhvillimeve jo të kënaqshme, kur ish deputetë, asamblistë komunal, aktivistë të degëve dhe nëndegëve të saj po pozicionohen në anën e të ‘pakënaqurve’ të LDK-së”, shton tutje ai.

Demolli është shprehur edhe kundër koalicionit të LDK-së, të përfolur me AKR-në.

Një argument tjetër kundër koalicionit LDK-AKR, është fakti se kur shikohen dhe krahasohen rezultatet e LDK-së në të gjitha zgjedhjet nacionale, atëherë shihet se numrin më të vogël të deputetëve në Kuvend  dhe atë vetëm 22 deputetë, e ka pasur, pikërisht në legjislaturën e gjashtë ( të vitit 2017), pas zgjedhjeve në të cilat ishte në koalicion me AKR-në”, shkroi në Facebook Demolli.

Demolli i bën thirrje partisë që në zgjedhjet e 14 shkurtit, “të matet e vetme në peshoren zgjedhore”.

Kuptohet nëse shënon rezultat më të mirë sesa në zgjedhjet e fundit, gjë që LDK-së i dëshiroj nga zemra, atëherë të shpërblehen dhe dekorohen kreatorët e këtyre zhvillimeve, e nëse nuk arrihet rezultati i kënaqshëm atëherë mos të shfrytëzohet koalicioni parazgjedhor (me AKR-në) si alibi për mbulimin e mossuksesit, por të vjen në shprehje  përgjegjësia politike”, përfundon Demolli. /Gazeta Sinjali/