Ish-ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Garcia-Margallo, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk mund të ndodhë shkaku i Katalonjës. Në një intervistë në emisionin “Herrera en Cope” me gazetarin Carlos Herrera, Garcia-Margallo ka thënë se ministri aktual i Jashtëm i Spanjës ka rënë në kontradikta me njohjen e pasaportave të Republikës së Kosovës.
Garcia Margallo tha se “njohja e Kosovës si shtet nga Spanja do të paraqiste një precedent shumë të komplikuar dhe serioz me Katalonjën në rast të shpalljes hipotetike të pavarësisë” nga kjo e fundit.
Në këtë intervistë, ish-ministri pranon se pranimi i pasaportës së Kosovës si të vlefshme nuk do të thotë njohje si shtet, por beson se është “e qartë” se është një “hap vendimtar” për të. Margallo thekson kontradiktën me të cilën përballet ministri aktual i Punëve të Jashtme, Jose Manuel Albares. “Tani thotë se pasaportat mund të njihen, por kjo nuk nënkupton njohje nga shteti: Një kontradiktë e vështirë për t’u kuptuar”.
Eurodeputeti aktual kujtoi se Spanja i njohu gjashtë republikat federative që përbënin ish-Jugosllavinë, sepse, sipas tij, “ato kishin të drejtën të shkëputeshin të njohura me Kushtetutë”, por jo edhe Vojvodinën dhe Kosovën. “Dhe njohja e Kosovës do të thotë thyerje e këtij parimi dhe për rrjedhojë krijimi i një precedenti shumë të komplikuar dhe shumë serioz” në lidhje me Katalonjën, paralajmëroi ai, duke theksuar se çështja katalane është “më seriozja” që ka Spanja.
Ai ka thënë se e drejta ndërkombëtare është “mbrojtja” më e mirë e Spanjës. “E drejta ndërkombëtare thotë se shkëputjet e njëanshme nuk mund të njihen, se referendumet e njëanshme nuk janë burim i ligjit për qëllimet e deklaratës ndërkombëtare. Ne të gjithë e pranojmë këtë”, deklaroi ai.
Shteti spanjoll, ditë më parë njoftoi se do t’i njohë pasaportat e Republikës së Kosovës, dhe kështu qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike do të mund të lëvizin lirshëm pa viza në të gjithë zonën Schengen.