image Ish-lojtari i Liverpoolit "godet" Alcantaran: Ai është një nga lojtarët më të mbivlerësuar në Evropë

Futboll

Ish-lojtari i Liverpoolit “godet” Alcantaran: Ai është një nga lojtarët më të mbivlerësuar në Evropë

news image

Mesfushori i Liverpool, Thiago Alcantara është cilësuar si një nga “lojtarët më të mbivlerësuar” të Evropës nga Dietmar Hamann.

31-vjeçari ishte një lojtar kyç për Liverpoolin pasi ata e mbyllën sezonin me trofe në FA dhe Carabao Cup dhe përfunduan si nënkampionë në Premier League dhe Champions League.

Megjithatë, paraqitjet e tij nuk e kanë kënaqur ish-yllin e Reds, Hamann, i cili mendon se nuk i shton asgjë ekipit kur ata janë nën presion.

“Për mendimin tim, Reds duhet të modernizojnë pak ekipin, veçanërisht në mesfushë”, shkroi Hamann në një rubrikë për Sky Sport.

“Nuk e kuptoj zhurmën për Thiago. Për mua ai është një nga lojtarët më të mbivlerësuar në futbollin europian. Kur gjërat shkojnë mirë dhe ju keni shumë zotërim, ai është një lojtar i mirë, por kur vie puna për të shtyrë, nuk e shihni atë. Nëse keni nevojë për dikë që vë thekse, atëherë ai nuk e bën atë. [Naby] Keita është gjithashtu një zhgënjim, [Jordan] Henderson është një punëtor. Ata kanë nevojë për një lojtar që mund të bëjë diferencën dhe t’i japë skuadrës diçka më shumë“, ka deklaruar Hamann.

Ish-mesfushori gjerman Hamann paralajmëroi se skuadra e Anfield do të duhet të përgatisë një zëvendësues të mirë për Sadio Mane, i cili mund të shkojë në Bayern Munich në të ardhmen e afërt.

Ai nuk është i bindur se Luis Diaz është njeriu i duhur për të zënë vendin e Mane dhe ka vënë në pikëpyetje nëse ylli senegal është i përshtatshëm për Bayernin.

“Diaz është një lojtar i mirë, por Mane ka shënuar rregullisht për katër ose pesë vjet. Largimi i tij do të jetë një humbje e madhe për Liverpoolin,” shtoi ai.

“A i përshtatet Bayernit? Mane mund të luajë në qendër të sulmit, por mua nuk më pëlqen aq shumë atje sa në krah. Ai është 30 vjeç tani dhe përfundimisht mund të luajë si numri nëntë nëse humbet pak shpejtësi siç bëri Cristiano Ronaldo. Nga ana tjetër, është e mrekullueshme që një trajner të ketë një lojtar që mund të luajë në krah ose në mes. Bayern do të gjejë lojtarë në mënyrë që të ketë një ekip të fuqishëm përsëri në verë“, ka përfunduar Hamann.

Hamann luajti shtatë sezone me Reds, mes viteve 1999-2006.

/GazetaSinjaliSport/