Liverpooli ka bërë publik emërimin e trajnerit të ri, duke i besuar drejtimin e skuadrës spanjollit Andoni Iraola. Klubi nga “Anfield” njoftoi se 43-vjeçari ka firmosur një marrëveshje që do ta mbajë në krye të ekipit për dy vitet e ardhshme.
Iraola merr detyrën pas largimit të Arne Slot, i cili u shkarkua më 30 maj, duke i dhënë fund aventurës së tij dyvjeçare në stolin e “Reds”. Spanjolli ishte ndër emrat më të përfolur për ta pasuar holandezin dhe në fund mori besimin e drejtuesve të klubit.
Ai vjen në Liverpool pas një pune të suksesshme me Bournemouthin, ku kaloi tre sezone dhe shkroi histori duke e udhëhequr skuadrën drejt pjesëmarrjes së parë në garat evropiane.
Gjatë periudhës së tij në klubin anglez, Iraola fitoi vlerësime të shumta për stilin e lojës dhe për transformimin e ekipit në një kundërshtar më konkurrues në Premier League.
Bournemouth e përfundoi edicionin 2025/26 në vendin e gjashtë të renditjes, vetëm tri pikë larg Liverpoolit që u rendit i pesti. Ky rezultat konsiderohet si një tregues i qartë i punës së trajnerit spanjoll, i cili tani përballet me sfidën e rikthimit të Liverpoolit në luftën për trofe dhe konsolidimin e klubit në nivelet më të larta të futbollit anglez.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!