image Ish-kryesuesja e bordit të KEK-ut: Kemi gjetur shkelje në punësim, parregullsi, nepotizëm dhe diskriminim

Sociale

Ish-kryesuesja e bordit të KEK-ut: Kemi gjetur shkelje në punësim, parregullsi, nepotizëm dhe diskriminim

news image

Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike ka përmbyllur procesin e intervistimit të hënën.

Para deputetëve, dëshmuan kryeshefi aktual i KEK-ut, kryesuesi i bordit, ish kryesuesit e bordit dhe po ashtu ish ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, ndërsa mungoi ish kryeshefi tjetër, Njazi Thaçi.

Procesi i dëshmisë u përcoll me polemika të shumta ndërmjet deputetëve dhe ish menaxhmentit të KEK-ut, por edhe atij aktual.

Ish-menaxhmenti i emëruar nga Qeveria Kurti I në vitin 2020,  adresoi një mori akuzash për keqpërdorime të mundshme nga e kaluara, mirëpo të cilat u mohuan nga ish kryesuesi i bordit të KEK-ut në periudhën 2017-2020. Në anën tjetër, nga opozita, bordet e emëruara nga Qeveria Kurti i fajësuan se për shkak të dështimit të tyre Kosova sot po importon energji elektrike.

Para se të filloi mbledhja, udhëheqësi i komisionit, deputet i PDK-së, Hajdar Beqa, sugjeroi dëshmitarët që mos të dalin nga mbledhja, pasi në të kundërtën do të autorizojnë policinë që mos të lirojnë objektin e Kuvendit pa përfunduar dëshminë e plotë.

“Nuk mundet të përsëritët mbledhja e kaluar se atëherë ne duhet të autorizojmë policinë që mos t’iu lejojmë që të lironi objektin e Kuvendit. Keni drejtë mos me fol, me u mbrojt në heshtje, por nuk keni drejtë me lëshu”, tha ai.

Ish-kryesuesja e bordit të KEK-ut në vitin 2020, Rrezarta Pllana, tha se kur e kanë marrë detyrën, kanë gjetur një mori shkeljesh në KEK.

“Shpenzime të paplanifikuara dhe të pamatura. Mandej kanë qenë disa bonuse të cilat janë ndarë dhe kanë qenë në kundërshtim me vendimin e ministrit. Ka pasur shkelje në punësim, parregullsi, nepotizëm dhe diskriminim. Ka pasur keqmenaxhim të pronës dhe shkelje të tjera…Konkludimet kanë qenë të bazuara në raportet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm”, tha ajo.

Të njëjtat i konfirmoi edhe ish ushtruesi i detyrës së kryeshefit në KEK në periudhën 2020-2021, Luigj Imeri.

“Është e vërtet se ne kemi gjetur fakte aty për të cilat i ka adresuar bordi tek kryeshefi ekzekutiv,  për të cilën kryeshefi ekzekutiv në atë periudhë ka marrë hapat e vet, ku ka lëshuar urdhëresat ekzekutive për përmirësimin e proceseve. Në këtë rast, ka qenë një vit i vështirë për të cilën shumë tema dhe problematika që ne është dashur të merremi kanë qenë sekondare për shkak të pandemisë”, theksoi ai.

Por, ish-kryesuesi i i Bordit të KEK-ut në periudhën 2017-2020, Faruk Hajrizi, këto i quajti të pavërteta, derisa renditi sipas tij rezultatet që kanë ndodhur nga ky bord.

“Kapitali i kompanisë nga viti 2017 deri në vitin në vitin  2019 sipas raportit të këtij viti nga 114 milionë ka kaluar në 150 milionë. Asetet janë rritur nga 422 milionë, të hyrat e kompanisë në 182 milionë euro, ndërkohë shpenzimet janë ulur. Nga gjitha këto, raporti i vitit 2019 thotë se qymyri ka pasur prodhim mbi 8 milionë, nëse e përkthen në energji elektrike 5.4 milionë megavat për orë. Kjo do të thotë se Kosovës i kemi dhënë energji të mjaftueshme mbi 800 megavat çdo ditë. Këto janë rezultate”, tha ai.

Pyetjeve të deputetëve për pronat e KEK-ut, iu përgjigj kryeshefi aktual i KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili tha se të vetmet prona që janë transferuar nga KEK-u ka qenë banesat të cilat janë privatizuar nga ish menaxhmentet e kaluara.

“Sa i përket pronave apo aseteve të tjera në KEK nuk kam ndonjë informatë që është bërë ndonjë transferim. Të vetmet prona që janë transferuar kanë qenë banesat që janë marrë nga menaxhimet i mëhershëm me qira, ndërsa me një ligj të veçantë është bërë privatizimi i tyre”, deklaroi Krasniqi.

Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, pyeti ish-kryesuesen e bordit të KEK-ut, Rrezarta Pllanën se a ka pasur këshilltar Gazemend Begollit.

Sipas tij, me kërkesë të njëjtit është anuluar projekti kapital për rinovimin e kaldajës së bllokut A5.

“Me kërkesë të këtij këshilltari të bordit dhe njëkohësisht drejtorit menaxhues është anuluar projekti kapital i rinovimit të kaldajës së bllokut A5…Ju keni qenë kryesuese e bordit, ju është dashur me ditë që ky anulim është, do të pyes edhe kryeshefin, por nëse nga ky anulim ne sot po i vuajmë pasojat e mungesës së energjisë elektrike, cili ka qenë veprimi i juaj saktë”, tha Zemaj.

Pllana tha se nuk i kujtohet se a ka qenë këshilltar apo jo Gazmend Begolli, dersia theksoi se sot Kosova është më së miri në rajon sa i përket energjisë elektrike.

“Ne në rajon jemi më së miri me energji elektrike me çmim dhe furnizim”, tha ajo.

Asaj i reagoi sërish deputeti Zemaj, i cili tha se si pasojë e anulimit të këtij tenderi, Kosova sot blen 4.4 milionë euro energji elektrike.

“Nuk po e di prej cilës perspektivë po aludoni se jeni më së miri. Por unë po ju njoftoj se për shkak të mos punës së A5, Kosova blen 4.4 milionë euro energji”, tha ai.

Krahas kësaj, në mbledhjen e sotme, deputetët intervistuan edhe ish anëtarët e bordit nga ZRRE-ja, raporton KP.

/GazetaSinjali/