image Ish-kryeministri kroat dënohet me gjashtë vjet burgim

Botë

Ish-kryeministri kroat dënohet me gjashtë vjet burgim

news image

Një gjykatë kroate e ka dënuar ish-kryeministrin kroat, Ivo Sanader me gjashtë vjet burgim, për pranimin e një ryshfeti prej disa miliona dollarësh, gjatë kohës sa ishte në detyrë.

Gjykata e shpalli Sanaderin fajtor, ngase sipas aktakuzës, ai mori 10 milionë euro ryshfet nga ana e kompanisë hungareze të naftës MOL.

Kompania hungareze mori nën kontroll 50 për qind të pronësisë së kompanisë kroate të gazit INA.

Gjykata e dënoi gjithashtu kryeshefin ekzekutiv të MOL-it, Zsolt Hernadi me dy vjet burgim, për dhënien e ryshfetit.

Hernadi nuk ishte në gjykatë gjatë shpalljes së vendimit, dhe kreu i gjykatës Ivan Turudiq, tha se është lëshuar një urdhër-arrest i Bashkimit Evropian, si dhe i bërë thirrje Hungarisë të “veprojë në përputhje me rrethanat”.

Aktvendimet mund të apelohen.

Sanader, 66 vjeç, ishte kryeministër i Kroacisë nga viti 2003 deri në vitin 2009 dhe gjithashtu shërbeu si drejtues i partisë në pushtet Unioni Demokratik Kroat nga viti 2000 deri në 2009.

Nëse aktgjykimi merr formën e prerë, Sanader do t’i paguajë 10 milionë euro qeverisë.

Sanader u largua nga Kroacia më 2010 pasi ai u akuzua në dy raste korrupsioni. Ai u arrestua në Austri dhe u ekstradua në Kroaci një vit më vonë.

Ky dënim u anulua nga Gjykata Kushtetuese në vitin 2015.

Sanader gjithashtu u dënua me 2 vjet e gjysëm burgim në vitin 2018-të për përfitime nga lufta dhe u urdhërua të shlyente rreth 570,000 dollarë në ryshfete që kishte marrë nga Hypo Bank.

Ai aktualisht është në burg duke e vuajtur atë dënim. /Gazeta Sinjali/