Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka shkruar se Kosova mund të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”, vetëm nëse kordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Hoti ka thënë se gjatë takimit në Washington, të cilin e realizoi më 4 shtator të vitit 2020, Kosova kishte pranuar kërkesën e SHBA-së, që të jetë pjesë e nismës së “Ballkanit të Hapur”, kjo pasiqë ishte garantuar pjesëmarrja mbi baza të barabarta për të gjitha vendet pjesëmarrëse, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Hotit, këto parime, nënkuptojnë që Serbia detyrohet ta njohë subjektivitetin shtetëror të Kosovës dhe se nuk mund të dominojë tregun rajonal, kur të gjitha vendet e rajonit marrin pjesë.
“Këto dy parime, si dhe faktin se kjo nismë është vetëm për bashkëpunim ekonomik, u theksuan dje në Ohër shumë qartë nga zyrtarët amerikan. Në terma praktik, parimi i parë nënkupton se Serbia detyrohet ta njoh subjektivitetin shtetëror të Kosovës në marrëdhëniet rajonale në çdo aspekt sikurse të çdo vendi tjetër, pasi pjesëmarrja e palëve është në baza plotësisht të barabarta. Ndërkaq, parimi i dytë nënkupton se Serbia nuk mund të dominojë tregun rajonal kur të gjitha vendet e rajonit marrin pjesë në këtë nismë“, ka shkruar Hoti.
Ai tutje tha se çdo nismë rajonale është e përkohshme, sepse orientimi i Kosovës është integrimi në BE, duke shtuar se Kosova duhet të bashkërëndojë politikën e saj të jashtme, me partnerët strategjik, SHBA-në dhe BE-në.
“Sidoqoftë, çdo nismë rajonale është e përkohshme, pasi orientimi ynë është integrimi në BE. Kosova duhet të bashkërendojë politikën e saj të jashtme me partnerin e saj strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me Bashkimin Evropian“, ka shkruar ish-kryeministri Hoti.