image Ish-këshilltari i Kurtit i reagon Thaçit: Gabimi më i madh i UÇK-së është që pranoi të ketë drejtor si ti

Politikë

Ish-këshilltari i Kurtit i reagon Thaçit: Gabimi më i madh i UÇK-së është që pranoi të ketë drejtor si ti

news image

Shkëlzen Gashi, ish këshilltar i Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, iu ka kundërpërgjigjur një deklarate të mbrëmshme të Presidentit Hashim Thaçi.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gashi ka thënë se nuk ka deklaruar asnjëherë se UÇK-ja ishte terroriste, e as se ushtarët e UÇK-së ishin kriminelë, shkruan Gazeta Sinjali.

Sipas tij, pjesëtarë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, kanë qenë të përfshirë në krime.

“Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, mbrëmë në emisionin Debat Plus të TV Dukagjinit deklaroi se «…këshilltari i Kryeministrit të Kosovës e ka quajtur UÇK-në terroriste dhe ushtarët e UÇK-së kriminelë». Nuk kam deklaruar asnjëherë se UÇK-ja ishte terroriste, e as se ushtarët e UÇK-së ishin kriminelë. Përkundrazi. E përsëris deklaratën time: «Pjesëtarë / individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, sipas raporteve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, kanë qenë të përfshirë në krime”, ka shkruar Gashi.

Më tej, ai ka shtuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë, sepse ishte çlirimtare, por gabimi i saj i parë dhe kryesor ishte që ka pranuar ta ketë drejtor politik Hashim Thaçin.

Postimi i plotë i Shkëlzen Gashit:

Hashim Thaçi, Dick Marty, Gjergj Dedaj dhe Gjykata Speciale

Presidenti i Kosovës, z. Hashim Thaçi, mbrëmë në emisionin Debat Plus të TV Dukagjinit deklaroi se «…këshilltari i Kryeministrit të Kosovës e ka quajtur UÇK-në terroriste dhe ushtarët e UÇK-së kriminelë». Nuk kam deklaruar asnjëherë se UÇK-ja ishte terroriste, e as se ushtarët e UÇK-së ishin kriminelë. Përkundrazi. E përsëris deklaratën time: «Pjesëtarë / individë nga radhët e UÇK-së, madje me pozita të larta, sipas raporteve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, kanë qenë të përfshirë në krime».
Natyrisht, lufta e UÇK-së ishte e drejtë, sepse ishte çlirimtare. A ka bërë UÇK-ja gabime? Sigurisht që ka bërë dhe për këto gabime duhet të diskutojmë. Ta zëmë, gabimi i saj i parë dhe kryesor ishte që ka pranuar ta ketë drejtor politik Hashim Thaçin.
Presidenti Thaçi në intervistën e mbrëmshme e përmendi Raportin e Dick Marty-t. Duhet thënë se në atë raport, Hashim Thaçi përmendet plot 26 herë. Pas publikimit të këtij raporti, z. Hashim Thaçi, atëherë Kryeministër i Kosovës, pati paralajmëruar se do ta padiste Dick Marty-n për shpifje. Kuptohet, lëre që nuk e paditi asnjëherë, por madje e themeloi Gjykatën Speciale mbi bazën e Raportit të Dick Marty-t.
Edhe diçka. Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës, z. Gjergj Dedaj, e ka akuzuar publikisht Hashim Thaçin duke thënë se gjatë luftës në Kosovë e pati torturuar fizikisht atë dhe disa veprimtarë të LDK-së. Hashim Thaçi iu përgjigj këtyre akuzave duke e emëruar Gjergj Dedajn katër herë zëvendës-ministër: në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (2008); në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (2013); në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (2015) dhe së fundmi në Ministrinë e Punëve të Jashtme (2017). Më vonë, në vitin 2018, Presidenti Thaçi e dekoroi Dedajn me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e më pas, po më 2018, e caktoi Ambasador të Jashtëzakonshëm Fuqiplotë në Shkup.
Pra, Hashim Thaçi nuk e paditi Dick Marty-n, e themeloi Gjykatën Speciale, e emëroi, e dekoroi dhe e dekretoi Gjergj Dedajn. Me të gjitha këto, ai i pranoi akuzat se ka bërë shkelje të rregullave të së drejtës humanitare ndërkombëtare./Gazeta Sinjali/