Shantazhet që bëhen përmes rrjeteve sociale janë raste të shpeshta në vendin tonë. Zakonisht viktima janë vajzat e reja të cilat në këmbim të mospublikimit të pamjeve që do cenonin integritetin dhe privatësinë e tyre, detyrohen të kryejnë favore të ndryshme ndaj të dyshuarve apo edhe kanosen seriozisht, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu i ka ndodhur edhe një vajze 19-vjeçare nga Mitrovica, e cila ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi që e njëjta është në hall me një person, i cili ka keqpërdorur fotografitë e saj personale.
Sinjali mëson se vajza dhe i dyshuari kishin pasur më parë komunikim përmes rrjeteve sociale, por që më pas gjithçka kishte mbaruar dhe aty nisën telashet.
Kjo ka revoltuar 24-vjeçarin, i cili në shenjë hakmarrjeje dhe për të arritur qëllimet e tij, ka shantazhuar të miturën duke hapur profile të rrjeshme në rrjete sociale me fotografitë e viktimës. Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari e ka kërcënuar duke thënë se “Edhe nëse më lajmëron në Polici, kam me t’gjete edhe me t’ngreh zhag”.
Përballë kësaj situate, e mitura ka denoncuar rastin në Polici, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer në detaje gjithë atë që ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe para hetuesve ka dhënë deklaratë për veprën për të cilën dyshohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj 21-vjeçarit të nisin hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje’.