Ish-hetuesi policor në veri, Murat Mehmeti ka shpalosur disa detaje gjatë kohës së tij sa ishte në detyrë, i cili tha se kishte pranuar informacione se pjesëtarët e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” po kryenin ushtrimet në poligone ushtarake të Serbisë.
Mehmeti ka thënë se për dy lokacione të tilla që dihen tashmë, bëjnë pjesë në territorin e Serbisë.
“Për Mbrojtjen Civile, kam pasur informacione se ushtrohen në poligone ushtarake, të paktën dihet për dy poligone ushtarake. Njëra ishte në një kazermë në një qytet para Beogradit. Aty kanë qenë të trajnuar, janë pajisur me armë jo të brezit por edhe mina antiblindë…”, ka treguar ai.
Ishte Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ai i cili njoftoi se Policia e Kosovës ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile”.
Se kush është ai, Mehmeti ka treguar se Milun Milenkovic, i njohur si “Llune”, ishte i angazhuar dikur si një person që kryente krime të rrugës.
Ish-hetuesi Mehmeti ka treguar se krime të tilla parashihnin pengimin e jetës së qytetarëve të veriut.
”Një nga personat e angazhuar për krime në rrugë të cilat kanë pasur për qëllim pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe pengimin e banorëve që të iu pamundësohet jeta në pjesën veriore, ky ka qenë njëri nga personat”.
“Më herët ka qenë njëri nga personat e angazhuar i cili ka kryer krime të rrugës. Krime të rrugës kanë pasur qëllim ta frikësojnë popullatën, ta pengojnë lëvizjen e lirë dhe të iu pamundësojnë jetën qytetarëve të veriut. Ekipi vëzhgues, strukturat e tjera kanë përcjellë qytetarë të cilët janë targetuar si viktima të sulmit dhe ky me disa, besoj se ka edhe një klub”, tha ai.
“Edhe atëherë e ka pas. Ka qenë pronar i një klubi (fitnes, kickbox) kur kanë ushtruar djem të rinj. Kemi pasur disa raste të sulmeve, ku viktimës i ka thyer nofullën”, ka rrëfyer tutje Mehmeti.
Me anë të një postimi në Facebook, ministri Sveçla ka thënë se gjatë arrestimit të “Llune”, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’rast tre nga ta janë lënduar lehtë.