Ish-drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu flet për sfidat me pandeminë, pranon që pati gabime në testime, shkruan Gazeta Sinjali.
Ish-drejtori i Shërbimit Spitalor Kliniko Universitar i Kosovës (ShSKUK), Basri Sejdiu është duke raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë COVID-19.
Ky i fundit tha se furnizimet e para prej Ministrisë së Shëndetësisë i kishin marrë në muajin prill, për çka theksoi se deri në atë kohë po funksiononin me materiale vetanake. Sejdiu tha kjo se ka qenë sfidë e madhe për Shërbimin Spitalor, duke shtuar se MSh është informuar për të gjitha kontratat dhe sa ka furnizim, dhe se kanë pasur kërkesa të shumta për furnizim me material shpenzues.
Ai para anëtarëve të komisionit tha se nuk kanë bërë kërkesa specifike, e as për blerje të morfinës. Veç tjerash theksoi se MSh deri në gjysmën e qershorit e ka pasur përgjegjësinë për blerje.
“Kemi llogaritur që duhet të përgatitemi qysh në fillim të rasteve të para. E kemi formuar komitetin. Kemi formuar edhe klinikat prioritare, dhe formimin me material e kemi menduar që do të jetë njëri prej vështirësive. Duke parë që procedurat e prokurimit po zvarriten, kemi ndërmarrë hapa konkret. Kemi bërë porosinë e materialit nga Tm3, tm2 në tm1”, tha ai.
Sipas Sejdiut, pacienti i parë me COVID-19 është trajtuar me materiale vetanake, sepse mbështetja e MSH-së ka ardhur pas gati dy muajve.
“Sfidë ka qenë furnizimi me material shpenzues. Shfrytëzimi i kontratave ka qenë shpëtimi më i madh… krijimi i dhomave triazhuese, na ka ndihmuar edhe të kursejmë material. 800 infermierë janë trajnuar se si te vishen ato rroba. Problemi më i madh në atë kohë kanë qenë testimet. Kanë ndodhur vonesa deri në 4 ditë. Vonesat e rezultateve kane bërë që të infektohen stafi tjetër. Por edhe gabimet, një ditë kanë dalë pozitiv, të nesërmen negativ”, theksoi ai.
Ai pati kritika për udhëheqjen e tanishme, meqë sipas tij pas shkarkimit të tij, ka filluar keqmenaxhimi.
Njëjtë u shpreh edhe anëtarja e Komisionit, Labinotë Demi-Murtezi.
“A mendoni që organizimi brenda QKUK-së është ashtu siç duhet, a ka avancuar, apo ka stagnuar”, ka pyetur ajo.
Sipas Sejdiut, tha se plani i tyre ka qenë mos-përzierja e stafit dhe pacientëve me COVID.
Mbledhja e këtij komisioni është pezulluar, në mungesë kuorumi.
Janë vetëm katër deputetë prezent derisa po raporton ish-drejtori i ShSKUK-së, Basri Sejdiu. Gjatë mbledhjes janë larguar nga salla, deputeti Ekrem Hyseni, Fatmire Kollçaku-Mullhaxha dhe Labinotë Demi-Murtezi.
Nënkryetari i komisionit Hetimor Parlamentar, Bekim Haxhiu tha se në mungesë kuorumi duhet të përfundojë kjo mbledhje.
Haxhiu i cili ka kryesuar sot këtë raportim, tha se prioritet i disa prej kolegëve, duke aluduar në ata të LVV-së dhe LDK-së të cilët kanë udhëhequr se bashku, është diçka tjetër.
“Të falënderoj për përgjigjet që na i dhe sot. Më duket se prioritet e disa prej kolegëve janë tjerat se sa menaxhimi i pandemisë dhe abuzimet qe janë dyshuar se janë bërë. Për mu mbetet shumë për dyshim se neglizhohet raportimi i tyre. E vërteta dhe vetëm e verbëta ju intereson dëshmitarëve”, theksoi ai. /Gazeta Sinjali/