Ish-ambasadori i Serbisë në Këshillin e Evropës, Zoran Milivojeviq, sheh një rivalitet mes ndërkombëtarëve me planin franko-gjerman. Ai thotë se ka një synim të Berlinit për ta marrë në dorë zgjidhjen e këtij problemi, por sipas tij është e qartë se SHBA-ja nuk do ta lejojë këtë.
Diplomati veteran serb tha se takimi i dështuar mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel ka treguar definitivisht se BE-ja s’mund ta udhëheq atë proces.
Ai tha se Kosova kontrollohet nga SHBA-ja, duke theksuar faktin se Kurti e pranoi kërkesën e amerikanëve për ta shtyrë për 48 orë gjobitjen e shoferëve që mbajnë targa të lëshuara nga Serbia në automjetet e tyre.
“Amerika edhe një herë ka treguar se kontrollon Prishtinën, se ka ndikim vendimtar në Kosovë dhe se rezervon të drejtën të jetë arbitri përfundimtar”, thotë Milivojeviq, duke theksuar se “një lloj rivaliteti me planin Macron-Scholz është në horizont”.
“…Synimi i Berlinit, mbi të gjitha, është për ta marrë plotësisht në duar problemin. Është e qartë se Amerika nuk do ta lërë. Përveç kësaj, BE-ja flet për ndërmjetësim dhe i përmbahet mandatit të Brukselit, ndërsa SHBA-ja ruan mandatin për të ndërhyrë kur Europa nuk ia del”, vlerëson Milivojeviq.
Sipas tij, historia e viteve ’90 “po përsëritet”.
“SHBA-të duan të tregojnë se aty ku Europa ka interes, Amerika vendos patjetër dhe kështu konfirmon dominimin e saj mbi Europë”. Dhe kjo nuk është vetëm kur bëhet fjalë për rajonin, por edhe për gjërat kyçe që janë të rëndësishme për Evropën”, thotë Milivojeviq për “Politika“.