image Ish-ambasadori i SHBA-së në NATO: Kosova të ulë tensionet, Perëndimi t’i kundërvihet nacionalizmit serb

Politikë

Ish-ambasadori i SHBA-së në NATO: Kosova të ulë tensionet, Perëndimi t’i kundërvihet nacionalizmit serb

news image

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, Kurt Volker thotë se qeveria e Kosovës gaboi që veproi në Veri pa u këshilluar me Shtetet e Bashkuara dhe BE-në, por shton se Perëndimi nuk duhet të neglizhojë prirjet nacionaliste që ai thotë se po ndjek Serbia në rajon.

Volker i ka bërë thirrje qeverisë së Kosovës të marrë masa për të ulur tensionet, por thotë se edhe Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Evropian, duhet të angazhohen për të zmbrapsur përpjekjet që rrezikojnë gërryerjen e sovranitetit të Kosovës.

“Së pari duhet të them se është një gjendje shumë e rrezikshme. Kemi parë shumë herë në të kaluarën se si nacionalizmi etnik ka shpërthyer në konflikt të hapur në Ballkan. Një gjë e tillë duhet parandaluar me çdo kusht. Duke pasur parasysh këtë, mendoj se veprimet e policisë së Kosovës ishin të tepruara. Ata duhet të kishin vepruar me më shumë maturi. Por nga ana tjetër duhet të kuptojmë se arsyeja se pse filloi e gjitha, ishte veprimtaria disavjeçare nacionaliste e Serbisë në Kosovë, në Bosnje, në Mal të Zi dhe në vetë Serbinë dhe nuk ka patur përpjekje për ta frenuar atë. Mendoj se kjo krijoi një situatë ku Kosova pati ndjesinë se po gërryhej sovraniteti i saj. Refuzimi i komunitetit serb (në Kosovë) për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, përpjekjet për të krijuar Asociacionin e komunave me mbështetjen e Serbisë, të gjitha këto krijuan përshtypjen se Serbia po përpiqej të ndërhynte brenda Kosovës, gjë që natyrisht, ishte e papranueshme për autoritetet e Kosovës.

Në këto kushte, zgjidhja është më shumë angazhim nga Shtetet e Bashkuara, nga Bashkimi Evropian, që duhet të zmbrapsin këto prirje nacionaliste dhe duhet t’i përqendrojnë përpjekjet tek krijimi i stabilitetit dhe rritjes dhe zhvillimit ekonomik për të gjithë.”

Ai është deklaruar edhe për veprimet e Qeverisë dhe pasojat që kanë prodhuar.

“Së pari, lidhja e ngushtë me Shtetet e Bashkuara është jetike për Kosovën. Prandaj ishte e nxituar dhe e pamatur nga ana e tyre që t’i ndërmerrnin këto veprime pa u konsultuar me Shtetet e Bashkuara. Dhe mendoj se kjo reflektohet në deklaratën e sekretarit Blinken. Në të njëjtën kohë, unë mendoj se deklarata anashkalon një pjesë të përgjegjësisë së SHBA-së dhe Bashkimit Evropian që dështuan të mbanin nën kontroll disa nga këto veprime nacionaliste serbe me kalimin e kohës, gjë që ishte edhe arsyeja që e nervozoi Kosovën.

Pra, nga perspektiva e Kosovës ishte një kombinim faktorësh. Megjithatë është e rëndësishme që Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet, të punojë me komunitetin ndërkombëtar, sepse nuk do të jetë në një situatë më të favorshme për t’i bërë ballë nacionalizmit serb duke vepruar e vetme, sesa po të punojë me komunitetin ndërkombëtar.”

Volker po ashtu ka komentuar qëndrimet e Kurtit karshi reagimeve të ashpra ndaj Qeverisë.

“Unë e kuptoj këndvështrimin e tij, si edhe faktin që për të është politikisht e rëndësishme që të mos duket i dobët. Por në të njëjtën kohë, unë mendoj se ai dhe autoritetet e Kosovës në përgjithësi duhet të gjejnë një rrugë për të zbutur situatën, për t’u rikthyer tek bashkëpunim me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian, duke këmbëngulur njëkohësisht që komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë një rol më të fuqishëm se saj ka luajtur deri tani për zmbrapsjen e veprime nacionaliste.

Mendoj se është gjithashtu e rëndësishme që edhe Shtetet e Bashkuara të bëjnë përpjekje për uljen e shkallëzimeve, që situata të mos acarohet edhe më shumë.”

“Mendoj se është një çështje gjykimi. Është e qartë që qeveria e Shteteve të Bashkuara është e pakënaqur me qeverinë e Kosovës dhe ata deshën të bënin diçka për ta shprehur këtë pakënaqësi. Mendoj se për shkak të mënyrës se si veproi Kosova, pa u konsultuar drejtpërdrejt me Shtetet e Bashkuara, SHBA po përpiqet të mbajë qëndrim. Personalisht unë mendoj se ne duhet të mbështesim pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, t’i këshillojmë ata që të bëjnë një hap pas, të qetësohen, të mos shkallëzojnë situatën dhe të mbajmë një qëndrim më të balancuar lidhur me rolin që po luan nacionalizmi në rajon në këto momente.”

/GazetaSinjali/