image Ish-ambasadori i ShBA-së, Kosnett: Kosova të njihet nga 5 vendet e BE-së

Kosovë

Ish-ambasadori i ShBA-së, Kosnett: Kosova të njihet nga 5 vendet e BE-së

news image

Ish-ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett, ka publikuar një shkrim autorial në faqen zyrtare të Qendrës për Analiza Politike Evropiane, ku ka shkruar për situatën e sigurisë në botë dhe ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit në NATO.

Kosnett ka folur për Finlandën, Suedinë, Austrinë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën dhe Serbinë. Ai thotë se asgjë më mirë nuk do ta tregonte solidaritetin evropian sesa të shohësh që shtete neutrale aplikojnë për anëtarësim në NATO.

Ambasadori amerikan ka folur në përgjithësi për rajonin e Ballkanit. Ai thotë se shumica e vendeve të rajonit janë në NATO, përjashtuar Kosovën, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën, që sipas tij ende nuk duken si shtete kandidate.

Ai thotë se përderisa Bosnja e Hercegovina është në rrëmujë, Kosova dhe Serbia meritojnë vëmendje.

Kosnett thotë se Vuçiq pavarësisht se e kontrollon Serbinë, të huajve u thotë se aftësia e tij për të vepruar është shumë e kufizuar. Këtu Kosnett përmend edhe deklaratën e Vuçiqit të datës 21 shkurt, ku ishte ankuar se “Serbia e ka mbështetur gjithmonë integritetin e Ukrainës, por nga ana tjetër 85 % e njerëzve do të jenë gjithmonë në anën e Rusisë, për çfarëdo që të ndodhë. Këto janë faktet me të cilat përballem si president i vendit”,

Diplomati amerikan tutje ka thënë se viteve të fundit, një varg liderësh nga SHBA-ja dhe BE-ja janë përpjekur ta joshin Serbinë drejt Perëndimit me stimuj ekonomikë dhe politikë dhe në përgjithësi kanë shmangur kritikat për lëvizjet serbe që e çojnë Vuçiqin drejt krahëve të Putinit.

“Kjo ia vlente të provohej, por Serbia duket e afërt me Rusinë dhe Kinën si kurrë më parë”, ka thënë Kosnett.

Ai po ashtu thotë se është koha që Serbia ta zgjedhë njërën anë.

Ai thotë se Washingtoni dhe Brukseli duhet të insistojë që Serbia të marr pjesë në vendosjen e sanksioneve ndërkombëtare, ose të shoh një fund të procesit të pranimit në BE dhe të stimulimit të tregtisë dhe investimeve nga SHBA-ja.

Sa i përket Kosovës, ai thotë se Kosova është demokraci funksionale shumë-partiake. Ai shtoi se është koha për të gjitha shtetet anëtare të BE-së që të fokusohen në realitetin e Republikës së Kosovës si një shtet pro-evropian dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës.

“Disa shtet anëtare të BE-së, Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja, ende nuk e kanë njohur sovranitetin e Kosovës, edhe pse disa janë duke shkuar drejt një rruge të tillë. Kjo është pjesërisht si rezultat i separatizmit në vendet e tyre, pjesërisht për shkak të dëshirë për të mos e ofenduar Serbinë”, ka thënë Kosnett.

/GazetaSinjali/