image Ish ambasadori i Kosovës në SHBA-MPJD-së: Të përshpejtohet emërimi i ambasadorëve

Politikë

Ish ambasadori i Kosovës në SHBA-MPJD-së: Të përshpejtohet emërimi i ambasadorëve

news image

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Avni Spahiu, vlerëson se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është dashur të përshpejtojë procesin e emërimit të diplomatëve të rinj, pasi shkarkoi të emëruarit politikë, në mesin e tyre 12 ambasadorë.

Sipas Spahiut, ulja e nivelit të përfaqësimit në vende të botës nuk duhet të vazhdojë gjatë meqë mund dëmtojë raportet e Kosovës me shtetet mike.

Ish-ambasadori Spahiu ndër të tjerash ka folur edhe për vendimin e shtetit të Kosovës për të strehuar refugjatët afganë.

Ministria e Jashtme nuk i ka bërë të ditur ende emrat e personave të cilët synon t’i dërgojë ambasadorë në vendet ku muaj më parë i ka shkarkuar të emëruarit politikë, për çka ish-ambasadori Avni Spahiu thotë se është e pakuptueshme vonesa e Qeverisë për të përfunduar këtë proces.

Është pak e pakuptueshme pse e gjithë kjo vonesë sepse ambasadorët e kthyer kanë pasur një afat prej tre muajsh që të kthehen në Kosovë dhe gjatë këtij tremujori Ministria është dashur të ketë një plan dhe të përshpejtojë këtë proces, sepse nuk varet çdo gjë vetëm nga Ministria, por edhe nga vendet pritëse, por Ministria ka mundur të përshpejtojë këtë proces. Sa më shumë që vonohet është sa më keq”, tha Spahiu.

Ambasadat prej të cilave kthehen diplomatët e shkarkuar, drejtohen të ngarkuar me punë deri në emërimin e ambasadorëve të rinj, që sipas Spahiut nuk duhet të vazhdojë gjatë meqë mund të ndikojë negativisht në raportet e Kosovës me vendet mike.

Ish-ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerëson se Kosova nuk duhet të mbyllë asnjë ambasadë në vendet ku tashmë përfaqësohet, madje sipas tij, ka vende të rëndësishme në të cilat Kosova duhet të hap ambasada.

“Ambasadat nuk është mirë të mbyllen, sepse në atë vend ku mbyllet ambasada do të ketë pasoja në raportet në mes dy vendeve, ndoshta më mirë të bisedohet se ku mund të ketë ambasada shtesë për Kosovën, nuk kemi shumë ambasada. Andaj reduktimi i tyre do të ishte i pavend, ndërkohë që kemi disa vende mike shumë të rëndësishme në të cilat nuk kemi këmbyer ambasada”, tha ai.

Lidhur me këtë çështje, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte deklaruar se me reformat në shërbimin e jashtëm do të rishikojnë prezencën e Kosovës me ambasada apo konsullata.

Por, ish-ambasadori Avni Spahiu vlerëson se reformat në shërbimin e jashtëm janë të nevojshme për përgatitjen e diplomatëve të cilët deri tani, sipas tij, nuk kanë qenë në nivelin e duhur. Ai thotë se diplomacia e zbehtë dhe joefikase është rezultat i diplomatëve jo të përgatitur mirë.

“Përfaqësimi 70 me 30 në dobi të diplomatëve të karrierës është i paqëndrueshëm, duhet të kthehet ashtu siç ka qenë 50 me 50, me sa marr vesh është një ligj i cili po pret të kalojë në këtë aspekt, të paraqitet në parlament, por jo vetëm këtë, duhet të ketë edhe ndryshime të tjera, përgatitjen e diplomatëve, sepse edhe diplomatët nën nivelin e ambasadorit nuk i kemi pasur në nivel deri më tash. Jam plotësisht i bindur në këtë, sepse vet kam pasur raporte të tilla nëpër ambasada dhe e di sa është kapaciteti i diplomatëve, natyrisht jo të gjithë, por të kemi një përzgjedhje sa më të mirë në këtë aspekt duke marrë parasysh kriteret profesionale dhe asnjë kriter tjetër”, theksoi Spahiu.

Për KP, ish-ambasadori i Kosovës në Ankara ka folur edhe për vendimin e shtetit për strehimin e refugjatëve afganë, të cilët po largohen nga Afganistani pasi talebanët kanë marrë kontrollin e vendit. Sipas tij, strehimi i refugjatëve afganë në Kosovë nuk paraqet asnjë rrezik për shtetin.

/GazetaSinjali/