Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Rober Bosch ka bërë një reagim pas raportimeve se Franca po e kushtëzon liberalizimin e vizave me sistemin ETIAS.
Bosch përmes një reagimi në faqen e tij në Facebook, ka thënë se nëse një gjë e tillë është e vërtetë, atëherë ky është turp për Francën e cila synon kryesimin e BE-së.
Ai ka shtuar se sistemi në fjalë ndoshta nuk do të jetë funksional për një kohë të gjatë, ndërsa sërish përsëriti se ky është një “turp total”.
“Nëse kjo është e vërtetë, atëherë turp për Francën, e cila aspiron të udhëheq BE-në. ETIAS ndoshta nuk do të jetë funksionale për një kohë shumë të gjatë duke marrë parasysh përvojën me sisteme të tilla në të kaluarën. Të shtosh këtë kushtëzimin shtesë vetëm për Kosovën nuk është gjë tjetër veçse turp total!”, ka shkruar ai.
Në lidhje me sistemin ETIAS, sot reagoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cila tha se në rast që ndodhë kjo, atëherë kosovarët diskriminohen.
“Në këtë drejtim, Presidentja Osmani shprehu besimin që kërkesat teknike të ngritura nga disa prej shteteve anëtare të BE-së lidhur me ETIAS, sistemin evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit, të mos ndikojnë në vendimmarrjen politike dhe caktimin e ditës së hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës duke prezantuar argumentet se një situatë e kundërt do t`i vendoste qytetarët e Kosovës më pozitë diskriminuese”, është thënë në një komunikatë të Presidencës së Kosovës.