Në 20 vjetorin e vrasjes, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa përkujton veprimtarin e LDK-së, Xhemajl Mustafa, shkruan Gazeta Sinjali.
Mustafa thotë se sot bëhen 20 vjet nga vrasja makabre e njërit nga themeluesit e LDK-së.
“Sot, bëhen 20 vjet nga vrasja makabre e njërit nga themeluesit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, intelektualit dhe shkrimtarit, Xhemajl Mustafa. Xhemajl Mustafa i takon plejadës së veprimtarëve që nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre për ta jetësuar ëndrrrën shekullore për liri, shtet e pavarësi. Ky trinom ishte motivi që e mbajti gjallë punën dhe angazhimin e pashoq të njeriut të urtë e fjalëpak, deri më datën 23 nëntor të vitit 2000, kur u qëllua për vdekje nga njerëz që iu pengonte angazhimi kombëtar i Xhemajl Mustafës”, ka shkruar kryetari Mustafa.
Ai ka kërkuar drejtësi dhe vënien e kriminelëve para gjyqit.
“Pas 20 vitesh, familja e intelektualit dhe e guximtarit, Xhemajl Mustafa, Lidhja Demokratike e Kosovës, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, kërkojnë drejtësi dhe vënien e kriminelëve para gjyqit. Lavdi jetës dhe veprës së, Xhemajl Mustafës!”, shkruan tutje ai. /Gazeta Sinjali/