image Mustafa: Një parti s’mund ta ketë edhe kryeministrin edhe presidentin

Deklaratë/ Mustafa: Një parti s’mund ta ketë edhe kryeministrin edhe presidentin

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka folur për postin e presidentit, pasi t’i përfundojë mandati Hashim Thaçit. Ai ka thënë fillimisht se nuk ka shprehur interesim për këtë post, por që sipas tij të tjerët po flasin për një gjë të tillë.

Mustafa ka thënë se është duke pritur për kohën kur do të vendoset për presidentin e ardhshëm, pasi që sipas tij, as ai vetë dhe as LDK nuk ka vendosur ende për një gjë të tillë.

Në këtë intervistë, Mustafa e ka bërë të qartë se partisë fituese të zgjedhjeve i takon posti i kryeministrit, por që e njëjta parti nuk mund t’i merr të gjitha postet.

“Tjerët po flasin më shumë për këtë çështje, ne nuk e kemi hapur se kush duhet të jetë në LDK dhe nuk kam shfaqur interesim dhe është biseduar në rrethana tjera dhe jo në atë të drejtpërdrejta”.

“Ne do të presim që kur të vije koha e presidenti dhe nëse i takon kjo pozitë LDK-së do të vendoset për shkak se nuk ka vendim as nga unë dhe as nga LDK për këtë post”, ka deklaruar Mustafa për Jeta në Kosovë.

Mustafa ka thënë se tash është koha që duhet të negociohet posti i presidentit, pasi që sipas tij nuk duhet ta rrezikojë ky post të gjithë koalicionin qeverisës.

“Mendoj se është koha të negociohen të gjitha çështjet që do të bëhen në mandatin 4-vjecar dhe brenda një kohe do të sfidohemi edhe me çështjen e presidentit. Dhe nuk mund ta lëmë një pozitë të tillë që të na rrezikojë edhe koalicionin qeverisës”.

“Ne do të mundohemi të arrijmë marrëveshje që përfshijnë edhe çështjen e presidentit dhe jam shprehur edhe në të kaluarën po e them edhe në çështje hipotetike, shembull edhe unë që nuk mundet në njeri të jetë këmbëngulës dhe faktori i vetëm. Por duhet të merret parasysh se një parti nuk mundet që ta ketë edhe presidentin edhe kryeministrin”, ka deklaruar Mustafa.

Mustafa kur është pyetur se nëse ka ndryshuar qëndrim që partia që fiton zgjedhjet duhet ta mandatoj kryeministrin e ardhshëm, Mustafa ka mohuar një gjë të tillë. Ka bërë të ditur se partia fituese duhet ta mandatoj kryeministrin e ardhshëm./Gazeta Sinjali/