Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka paralajmëruar takim të ri mes tij, Vjosa Osmanit dhe kryetari të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se takimet me Kurtin do t’i vazhdojë aty ku i ka lënë.
Mustafa rezultatin e zgjedhjeve e ka cilësuar si tepër të ngushtë dhe se sipas tij fituesi do të dihet vetëm pas numërimit të të gjitha votave.
Postimi i plotë:
Qytetarë të nderuar
Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK mori përkrahje të gjerë nga qytetarët tanë. Qytetarët ndëshkuan ata që qeverisën keq.
Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave.
Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së. IM