Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar ndaj propozimit që e diela të jetë ditë pushimi për bizneset në disa komuna.
Mustafa përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se Autoriteti i Konkurrencës të shqyrtojë vendimet e këtyre komunave për të ndaluar punën ditën e diel, shkruan Gazeta Sinjali.
“Do të ishte e rrugës që bizneset të vendosin për ditët që punojnë e nuk punojnë duke e respektuar ligjin dhe orët javore të punës. Tendenca për rregullim administrative të ekonomisë dhe të jetës së qytetarëve është recidiv i kohëve të kaluara, si e tillë shkakton deformim të sistemit ekonomik në vendin tonë”, ka shkruar ndër të tjera i pari i LDK-së.
Në lidhje me propozimin që e diela të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset ka reaguar edhe Oda Amerikane, ku kanë thënë se kjo do të ndikojë negativisht në rritjen ekonomike dhe në thellimin e papunësisë në vend. Më tej, u kanë bërë thirrje komunave që kanë marrë vendime të tilla t’i rishikojnë ato.
Komuna e Prishtinës, Ferizajit dhe ajo e Gjilanit kishin propozuar që e diela të bëhej ditë pushimi./Gazeta Sinjali/