Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se veprimi i kryeministrit Kurti për shkarkimin e Agim Veliut nga posti i ministrit është i papranueshëm.
Mustafa kosideron se Kurti nuk ka asnjë argument ta shkarkoj Veliun.
“Kryeministri nuk më ka konsultuar dhe nuk ka asnjë argument ta shkarkojë ministrin Veliu. Një veprim i tillë është i papranueshëm për LDK-në”, tha Mustafa për Gazetën Sinjali.
Ndërkohë, zyra e kryeministrit Kurti ka dhënë arsyen e shkarkimit të Veliut.
Në njoftimin e zyrës së kryeministrit për shkarkimin e Veliut, ndër të tjera shkruan se “përmes deklaratave të tij të bëra publikisht, por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme, Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është”.