image Isa Mustafa komenton interpretimet e Qeverisë për rritjen ekonomike: Viti 2023 parashihet të jetë sfidues

Politikë

Isa Mustafa komenton interpretimet e Qeverisë për rritjen ekonomike: Viti 2023 parashihet të jetë sfidues

news image

Ish-kryeministri dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka dhënë një shpjegim lidhur me interpretimet e Qeverisë për rritjen ekonomike në vend dhe vlerësimin e fundit të FMN-së për këtë çështje.

Mustafa ka shkruar në Facebook se vitin e kaluar Kosova shënoi rritje ekonomike “si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit”, pasi që në vitin 2020, për shkak të pandemisë “kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike”.

“Vitin që e lamë pas, Kosova shënoi rritje ekonomike prej 9.5% (sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar) përkatësisht 9.1 % (sipas Bankës Botërore). Kjo rritje erdhi si rezultat i rritjes së prodhimit, fuqizimit të konsumit dhe rritjes së eksportit, pasi që në vitin 2020, si pasojë e pandemisë kishin stagnuar të gjitha aktivitetet ekonomike dhe përfunduam me rritje negative ekonomike prej -5.5%. Në këtë aspekt krahasimet me vitin 2020 janë të natyrës formale, prandaj edhe nuk janë tregues i qëndrueshëm”. shkroi Mustafa.

Duke marrë shembull nga rajoni, Mustafa ka dhënë interpretimin e tij për vlerësimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar që thotë se Kosova do ta përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej 2.7%.

“Nga tregjet dhe ekonomitë në zhvillim në Evropë vitin e kaluar, Mali i Zi kishte rritjen më të madhe ekonomike prej 13% (sipas FMN-së) përkatësisht 12.4% (sipas BB) pasuar nga Kroacia prej 10.2%. Por sikurse Mali i Zi ashtu edhe Kroacia kishin pësuar rënie të madhe ekonomike në kohë të pandemisë (2020)Viti 2022 parashihet të jetë sfidues për Kosovën”, shkroi Mustafa.

“Vlerësimet e këtij muaji nga FMN flasin se Kosova do të përmbyllë këtë vit me rritje ekonomike prej vetëm 2.7%. Rritje më të ulët (2.4 %) parashihet të ketë vetëm Bosnja dhe Hercegovina. Shkak i kësaj rënie vlerësohet të jetë inflacioni i lartë, bilanci i pavolitshëm tregtar, rënia e investimeve publike dhe atyre private, rënia e konsumit për shkak të rritjes së çmimeve duke mbajtur pagat e pandryshuara në sektorin publik dhe ndikimi indirekt nga lufta në Ukrainë”, ka shtuar ai.

/GazetaSinjali/