image Isa Mustafa i përgjigjet Albin Kurtit: LDK nuk cakton data

Kosovë

Qeveria/ Isa Mustafa i përgjigjet Albin Kurtit: LDK nuk cakton data

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i është përgjigjur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit, lidhur me atë se kush e cakton datën e formimit të qeverisë së re.

Mustafa ka thënë se “LDK nuk cakton data”, por se “Datat i cakton subjekti që del i pari në zgjedhje, ai që e merr mandatin për formimin e Qeverisë”, shkruan Gazeta Sinjali.

“Të nderuar qytetarë, Lidhja Demokratike e Kosovës është angazhuar për marrëveshje për bashkëqeverisje me LVV mbi bazën e rezultateve zgjedhore të datës 6 tetor, të çertifikuara nga KQZ.
Nga këto zgjedhje ka dalë LVV si fitues relativ me 29 deputetë dhe LDK, parti e dytë, me 28 deputetë. Nga zgjedhjet nuk ka fitues absolut, i cili jep ose është gjeneroz ndaj palës tjeter, por kemi një situatë ku përgjegjësia ndahet ndërmjet atyre që synojnë të bëhen partnerë në qeverisjen e ardhshme. Prandaj VV duhet të heq dorë nga diskursi se i ka dhënë diçka LDK-së. Lirisht mund ta themelojë qeverinë në qoftë se kanë votë të qytetarëve dhe mandate për ta bërë atë. LDK nuk ka kërkuar lëmoshë, por kemi ofruar gatishmërinë për t’i shërbyer qytetarit në partneritet të plotë, në proporcion me mandatet në Kuvend”, ka shkruar Mustafa.

Ai theksoi se “LDK insiston që sa më parë të kemi formim të institucioneve dhe kjo nuk do të thotë se LDK domosdoshmërisht do të bëhet pjesë e qeverisë”.

Tutje, Mustafa ka thënë se është obligim i LVV-së që t’i shmang vonesat dhe pengesat për formimin e institucioneve.

“Ne bëmë punën tonë, zhbllokuam procesin, përkundër që s’kishim marrëveshje e as njoftim se VV do të procedojë me Kryetarin e Kuvendit.
Për hir të së vërtetës, LDK, jo që ka refuzuar por, ka vlerësuar se duhet ti takojë Kryeparlamentari me marrëveshje. Caktimi i mandatarit, marrja e mandatit për Kryeministër dhe gjetja e zgjidhjes për formimin e qeverisë, në këtë fazë, është detyrim i subjektit që renditet i pari në zgjedhje”, ka shkruar Mustafa.

Më herët, Kurti tha se “Datën për formimin e qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës, e jo presidenti”. /Gazeta Sinjali/