image Isa Mustafa: Drejtori i AKI-së duhet të zgjidhet nga kryeministri i ardhshëm

Kosovë

Intervistë/ Isa Mustafa: Drejtori i AKI-së duhet të zgjidhet nga kryeministri i ardhshëm

news image

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, konsideron se drejtori i institucionit më të lartë të sigurisë në vend, AKI-së, duhet të zgjidhet nga kryeministri i ardhshëm së bashku me presidentin.

Në një intervistë me shkrim për Gazetën Sinjali, Mustafa nuk e sheh problem serioz formimin e qeverisë së re edhe në rast se Supermja e vërteton vendimin e PZAP-së, i cili ia ‘humb’ katër deputetë koalicionit të mundshëm LVV-LDK.  Për mundësinë e përfshirjes së Nismës Socialdemokrate të Fatmir Limajt në qeverinë e re, Mustafa thekson se kjo çështje paraprakisht duhet të diskutohet mes partnerëve të koalicionit.

Kreu i LDK-së e komenton edhe deklaratën e Vjosa Osmanit e cila mbrëmë tha se në qeverinë e re do të mund të jepte më shumë kontribut si kryeparlamentare ose ministre e jashtme. Ai flet edhe për ndarjen e ministrive me partinë e Albin Kurtit dhe përfshirjen e postit të presidentit në kuadër të marrëveshjes.

Lexoni intervistën e plotë:

Gazeta Sinjali: Nëse Gjykata Supreme konfirmon vendimin e PZAP-it për votat e ardhura nga Serbia, LVV-ja do t’i ketë 29 deputetë kurse LDK-ja 28 deputetë, rrjedhimisht i bie që këto dy subjekte politike nuk do t’i kenë votat e mjaftueshme për formimin e qeverisë së re. Në këtë situatë a e shihni ndonjë partner të tretë të koalicionit?

Isa Mustafa: Kushtetuta rregullon përfaqësimin e komuniteteve joshumicë në Qeveri. Formalisht apo jo, ata ndajnë përgjegjësitë me pozitën qeverisëse, e cili nëse arrihet marrëveshja LDK-VV, do të ketë 57 deputetë të këtyre dy subjekteve. Prandaj nuk shoh probleme serioze për themelimin e Qeverisë.

Gazeta Sinjali: Cila parti politike mendoni se do t’i përshtatej programit LVV-LDK?

Isa Mustafa: Në këtë rast pesha themelore konsiston në këto dy parti, të cilat në pjesë më të madhe e kanë harmonizuar programin. Të tjerat mund të jenë specifike.

Gazeta Sinjali: Sa janë gjasat që Nisma Socialdemokrate të bëhet pjesë e qeverisë së re, a e shihni si opsion?

Isa Mustafa: Është çështje e cila paraprakisht do të duhej të shqyrtohet ndërmjet partnerëve kryesor të koalicionit. 

Gazeta Sinjali: A shihni Listën Serbe si pjesë të koalicionit qeverisës?

Isa Mustafa: Listën Serbe e shoh ashtu siç e trajton Kushtetuta përfaqësimin e komuniteteve në institucionet e Republikës së Kosovës.

Gazeta Sinjali: Mbrëmë në një intervistë televizve, znj.Vjosa Osmani, ka deklaruar se në qeverinë e re do të mund të jepte më shumë kontribut si kryeparlamentare ose ministre e jashtme. Cilin nga këto dy poste do të duhej sipas jush ta mbante znj.Osmani?

Isa Mustafa: Znj.Osmani është kandidate e jona për Kryeministre. Nëse certifikimi i rezultateve e konfirmon LVV-në si parti të parë, ne do ta diskutojme me znj.Osmani se çfarë është me e dobishme për LDK-në. Jam i bindur se znj.Osmani ka kompetencë për çdo pozitë.

Gazeta Sinjali: Zyrtarë të LVV-së dhe LDK-së vazhdimisht kanë deklaruar se ende nuk është diskutuar për ndarjen e ministrive, ndërkohë kurreshtja e publikut është shumë e madhe. A mund të na tregoni pak se cilat ministri i sheh LDK me ministra të saj?

Isa Mustafa: Janë çështje të cilat do t`i diskutojmë paraprakisht me liderin e VV-së.

Gazeta Sinjali: Keni deklaruar se posti i presidentit duhet të diskutohet në kuadër të marrëveshjes me partinë e Albin Kurtit. A mendoni se e keni përkrahjen e partisë për t’u bërë President i vendit?

Isa Mustafa: Tani vlerësojmë se duhet t’i diskutojmë të gjitha përgjegjësitë me të cilat do të ballafaqohemi gjatë katër viteve. Edhe çështjen e Kryeministrit të Presidentit, të Kryeparlamentarit, e të gjitha. Kryeministri do të pajtohemi t’i takojë partisë që del e para. Sa i përket se kush do të bëhet President, tani nuk do të merremi me atë çështje, por me marrëveshjen se kush do të propozojë kandidatin për President dhe përkrahjen e tij nga koalicioni, sikurse edhe për pozitat e tjera.

Gazeta Sinjali: Aktualisht vendi ynë është pa drejtues të AKI-së, kjo për shkak të dorëheqjes së Shpend Maxhunit. A duhet të zgjidhet drejtori i ri nga qeveria në largim apo nga qeveria e re?

Isa Mustafa: Ligji parasheh afatet. Por mendoj se do duhej  të gjendet një zgjidhje kalimtare e cila siguron që Kryeministri i ardhshëm së bashku me Presidentin të zgjedhin drejtorin e ri. /Gazeta Sinjali/